Bruksel, 27 prill, NOA - Komisioni për të Drejtat Civile dhe Çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian po shqyrton raportin prej 44 faqesh të hartuar nga Komisioni Evropian mbi plotësimin apo mosplotësimin e udhërrëfyesit për heqjen e vizave për shtetasit e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Sipas informacioneve, raporti ka arritur në përfundime që tregojnë se Bosnja është një hap para Shqipërisë në përmbushjen e standardeve.
Për Shqipërinë, konsiderohet se ka plotësuar kushtet për dokumentet e udhëtimit dhe kontrollin e integruar të kufijve, por ende mbetet shumë për të bërë në luftën kundër krimit të organizuar.
Raporti vëren se një pjesë e rëndësishme e ligjeve të lidhura me standardet e kërkuara nga BE-ja janë miratuar vetëm në muajt e parë të këtij viti, e jo më parë.
Në Tiranë autoritetet thonë se janë optimiste se Shqipëria do të hyjë në Listën e Bardhë Shengen brenda verës së këtij viti.
Por një europarlamentar i pyetur nga BBC-ja thotë se përplasjet politike në Shqipëri do të pengojnë, në fund të fundit, afrimin e Shqipërisë në BE.
Nënkryetari i delegacionit të Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi e Kosovës në Parlamentin Evropian, eurodeputeti slloven Jelko Kacin tha se përplasjet politike në Shqipëri po dërgonin mesazhin e gabuar në Bruksel se "liberalizimi i vizave nuk është përparësia kryesore" për udhëheqjen shqiptare.
BBC bisedoi me z.Kacin ndërsa ai po shkonte për të marrë pjesë në debatin për Shqipërinë e Bosnjën në Parlamentin Evropian.
Unë do të marr pjesë në këtë debat, sepse do të jetë një debat shumë relevant. Ajo që po shqyrtojmë ne tani është i ashtuquajturi propozim legjislativ, që duhet të vihet në rendin e ditës që ne ta debatojmë, sepse pa të ne nuk mund të përgatisim "vijën e gjelbër" për një liberalizim përfundimtar të vizave për Shqipërinë.
Ju e keni parë raportin nga Komisioni. Sipas informacioneve, ai thotë se Shqipëria ka bërë përparim të mirë, por ende mbeten disa kushte për t'u përmbushur. Cilat janë disa nga ato?
Unë do të thoja se mesazhi më relevant, dhe është një mesazh negativ, që vjen nga Shqipëria është çështja bazë se cila është përparësia strategjike e udhëheqjes shqiptare tani. Duket se liberalizimi i vizave nuk është përparësia kryesore, megjithëse qeveria po bën më të mirën, por nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka perceptimin e vet të dimanizmit të ndryshimeve pozitive në Shqipëri.
Pra, a mendoni se kjo përplasje politike do të pengojë përpjekjet e Shqipërisë?
Ajo tashmë po e pengon imazhin e Shqipërisë, sepse duket qartë se disa forca politike do të dëshironin ta përdornin rastin e liberalizimit të vizave për të luftuar, ose koalicioni ose opozita, kushdo qoftë. Kjo përplasje po thellohet dhe nuk po kapërcehet, dhe siç e thashë, kjo dërgon një mesazh shumë të gabuar.
Po për sa i përket kushteve teknike, a është Shqipëria gati që të marrë regjimin pa viza?
Teknikisht çdo gjë është pak a shumë në rregull. Unë isha në Tiranë pak javë më parë. Ne na la përshtypje procesi i kontrollit dhe lëshimit të pasaportave dhe dokumenteve të tjera. Pra, është shumë evidente se Shqipëria po përparon shumë shpejt, por ju ngritët pyetjen bazë, dhe pyetja bazë nuk është teknike, por është shumë politike dhe në fund të ditës do të jetë një vendim politik, i vendimmarrësve politikë që në këtë rast janë ministrat e brendshëm (të BE-së) .
Ju thoni që është politike, por autoritetet shqiptare këmbëngulin se vendimi për vizat nuk është një vendim politik, por është në përgjithësi një vendim teknik?
Kurdoherë që një politikan bën një deklaratë, ajo është një deklaratë politike.
Pra, në fund, ju thoni se jeni i kënaqur me raportin e Komisionit Evropian se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të marrë regjimin pa viza?
Patjetër, që Shqipëria po bën përparim dhe po përparon shumë shpjet. Por në fund të ditës ne do të bëjmë një vlerësim të gjithanshëm.
BBC