English

Gjelbërohet Tirana, Rama falenderon kontribuesit

Tiranë, 27 prill, NOA - Kryetari i bashkisë Edi Rama ka falenderuar sot të gjithë ata qytetarë e biznesmenë që po kontribuojnë për gjelbërimin e Tiranës duke iu bashkuar nismës "Një qytetar - një pemë".Gjatë fjalës së tij Rama tha se me anë të kësaj nisme, sot Tirana ka 4500 pemë të reja të cilat do të rrisin cilësinë e ajrit në kryeqytet.

"Duke iu afruar ditëve të fundit të mbjelljeve të këtij sezoni e duke qenë shumë pranë objektivit të 4500 pemëve pasi kemi mbjellë 4000 të tilla, dua të theksoj dhe njëherë se u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar, duke filluar nga qytetarët përmes taksës së gjelbër e duke vazhduar me bankat e bizneset, në një qytet ku çdo vit e më shumë ne jemi krenar në transformimin e qytetit", tha Rama.

Kryebashkiaku theksoi se ndjehet shumë i lumtur që vizitorë të këtij qyteti të cilët vijnë për vit të dytë e vit të tretë në Tiranë e vlerësojnë këtë fakt.

"Kam pasur shumë njerëz që më kanë thënë se shohin më shumë gjelbërim në Tiranë" tha Rama.

Nisma "Një qytetar - një pemë" është shprehje e një vetëdije të lartë qytetare, është një thirrje për veprim, është më shumë se të mbjellësh një pemë, është një lëvizje ku çdo qytetar mund të bëhet pjesë, është një ndihmë në rritjen e vlerave të komunitetit dhe do të ndihmojë në rivitalizimin e tyre, është mënyra ku gjithsecili nga ne ndihmon qytetin e Tiranës në pastrimin e ajrit, në funksion të rritjes së cilësisë së jetës sonë në komunitet.

b.a/NOA

KOMENTE