Tiranë, 27 Prill NOA - Lirohet nga burgu, Ylli Kambo, ish-bosi i firmës piramidale "Kambo Marshall". Kambo ka lënë qelinë e tij në burgun e Vaqarit, të enjten që shkoi. Mësohet se Kambo është paraqitur sot në ambientet e gjykatës së Rrethit të Tiranës rreth orës 10:00, ku edhe ka takuar gjyqtarin e çështjes së tij Kreshnik Omari, i cili ishte duke shqyrtuar kërkesën për "lirimin me kusht".
Pasi i ka dorëzuar vendimin burgjeve për lirimin nga burgu për përfundim të dënimit, Kambo është larguar.
Gjyqtari është futur në sallën e gjyqit dhe ka bërë përllogaritjen e ditëve që ka vuajtur dënimin duke shpallur edhe pushimin e çështjes në ngarkim të Kambos.
Kërkesa e Kambos për lirim me kusht ishte bërë më 11 Nëntor 1999. sot, duke qenë se Kambo e kishte fituar lirinë duke mbyllur afatet e vuajtjes së dënimit, Omarit nuk i mbetej gjë tjetër veçse të shpallte pushimin e çështjes që bazohej në kërkesën e Kambos për t'u liruar më herët nga qelitë.
Kambo u dënua më 25 maj të vitit 2001 me 10 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së parë për veprat penale të të "vjedhjes në shuma të mëdha me anë të mashtrimit".
Pas apelimit të këtij vendimi, Gjykata e Apelit vendosi dënimin e tij me 7 vite burg. Kambo u arrestua në shkurt të vitit 2003, në Rumani, ndërsa një vit më pas, ai u ekstradua në Tiranë për të vuajtur dënimin.
Ajo që të bën përshtypje në sistemin e drejtësisë dhe politikës në vend, është fakti se thuajse të gjithë ata njerëz të paskrupullt që mashtruan me pasoja të rënda shqiptarët gjatë viteve '90, u liruan qoftë me vendime gjykate, qoftë me amnisti dhe falje të aplikuara.
r.n/NOA