Athinë, 27 prill, NOA - Nëse Greqisë nuk i jepen urgjentisht disa miliarda nga ndërkombëtarët, atëherë ky vend shumë shpejt nuk do të mund të kryejë pagesat.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni ministri grek i Financave, Giorgos Papakonstantinou, sipas të cilit, Greqisë i nevojitet deri më 19 maj një ndihmë financiare prej miliardash.
"Ndryshe vendi praktikisht mund të bëhet i paaftë për të paguar", u shpreh Papakonstantinou para parlamentit grek.
Sipas tij, deri më 19 maj detyrimi që duhet paguar arrin në lartësinë e nëntë miliardë eurove.
Nga paketa ndihmë e Bashkimit Evropian, e cila kap vlerën prej 30 miliardë eurosh në total, vetëm Gjermania duhet të japë 8, 4 miliardë euro, ndërsa 15 miliardë euro të tjera do t'i japë Fondi Monetar Ndërkombëtar.
n.e/NOA