Shkup, 27 prill, NOA - Kryeministri Nikolla Gruevski ka ngelur kokëfortë ndaj deklaratës së tij se në rast të ndonjë referendumi për propozimin Republika e Maqedonisë Veriore, ai do të votonte kundër.
Kjo është vërtetuar edhe nga partia e tij VMRO-DPMNE ka bërë të ditur sot se lideri i tyre qëndron pas asaj deklarate të dhënë ditë më parë.
Nga ana tjetër, partitë politike opozitare e kanë vlerësuar si të papërgjegjshme deklarimin e Gruevskit.
"Një deklaratë e tillë e kryeministrit çon drejt largimit nga negociatat, gjegjësisht drejt izolimit të mëtejshëmm të vendit", ka theksuar deputeti i DR-së, Sulejman Rushiti. Deputeti i PRSD-së, Tito Petkovski ka nënvizuar se deklarata e kryeministrit është e papërgjegjshme, por edhe shumë e sinqertë.
Nga radhët e BDI-së, kanë shtuar se deklaratat e Gruevskit dhe ato që vijnë nga pala greke janë lëvizje para në procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit.
"Tani e dimë apo mund të pohojmë që e dimë se cilat janë pozicionet e papranueshme të njërës pale dhe për çka është e përgatitur pala tjetër, dhe kjo është një shenjë se procesi është i hapur dhe se ka interes për të tejkaluar kontestin me qëllim të zhbllokimit të proceseve euro-integruese", ka theksuar deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.
Deklaratat e kryeministrit janë vlerësuar edhe nga analistët politik. Nijazi Muhamedi vlerëson për agjencinë e lajmeve INA se Gruevski çështjen e emrit e përdor si alibi, për të shtyer mosmarrëveshjet që ka me Evropën dhe NATO-n.
"Atij çfarëdo emri që do ti propozohet nuk do ta pranojë, sepse me shtyrjen e çështjes së emrit ai nxjerrë privilegje të pozicionit të Maqedonisë përballë NATO-s dhe BE-së.
Ai problemin e emrit nuk e paraqet si problem të brendshëm, por si zor të NATO-s dhe BE-së. Ai kërkon që Maqedonia të pranohet pa standarde në këto dy organizata", ka theksuar Muhamedi, duke shtuar se kryeministri mban qëndrim pro-bullgar, pasi sipas tij, kufiri verior historikisht ka qenë lumi Struma dhe Bullgaria siç nënvizon Muhamedi është e përzier në këtë kontest.
Analisti dhe ligjëruesi universitar Mersel Bilalli nënvizon për "INA" se deklarata e Gruevskit është një fjali jo diplomatike, me qëllim të ruajtjes së pozicioneve të tij. Ai ka shtuar se muajt e ardhshëm do të reflektojnë se çka do të ndodhë me zgjidhjen e kontestit të emrit.
NOA-INA