English

KMDLNJ kërkon rishqyrtimin për "rastin Hajra"

Prishtinë, 27 Prill NOA - KMDLNJ kërkon rishqyrtimin për "rastin Hajra" dhe këmbëngul që ky rast të kalojë në duart e hetuesve dhe gjykatave vendore duke kërkuar përjashtimin e gjykatësve të EULEX-it të cilët nuk do të duhej të kishin mandat për gjykimin e shtetasve të Republikës së Kosovës.

Behxhet Sh. Shala, Drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së, tregon për lexuesit e agjencisë NOA fillin e ngjarjes.

Më 20 gusht 2001, nga persona të paidentifikuar në lokacionin midis fshatrave Baincë dhe Tërstenik, përkatësisht duke kaluar mbi një urë të drunjtë, janë vrarë: Hamëz Hajra, bashkëshortja e tij Miradije Hajra, djali Xhevdeti dhe vajzat Mimoza dhe Adelina Hajra ndërkaq ka shpëtuar Pranvera Hajra, vajza e Hamëz Hajrës.

Të dyshuar për këtë krim të tmerrshëm janë arrestuar: Skënder Halilaj, kolonel dhe shef i logjistikës së TMK-së, Burim Ramadani, Arben Kiçina, Arsim Ramadani, Zeqir Kiçina, Florim Kiçina dhe Blerim Kiçina pjesa dërrmuese e të cilëve kanë qenë luftëtarë të ish UÇK-së.

Këta të arrestuar pastaj janë akuzuar për vrasje, tentativë për vrasje, pjesëmarrje në një grup për kryerjen e veprës së vrasjes dhe marrëveshje për kryerjen e një vepre penale. Ndërkaq, Agim Xhylani, Bekim Morina, Adem Kiçina dhe Muharrem Xhemajli janë akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes, mosraportim mbi përgatitjen e një vepre penale ose kryerësit e një vepre dhe dhënie ndihmë kryerësit të veprës penale pasi kanë kryer veprën.

Aktakuza e përbashkët kundër Skënder Halilajt dhe të tjerëve është ngritur më 16 shtator 2003.

Gjatë gjykimit para kolegjit të gjykatësve të UNMIK-ut në Gjilan (trupi gjykues kryesohej nga Vinod Bolello) të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan më gjithsej 185 vjet heqje lirie.

Në korrik 2008 Gjykata Supreme i liroi Florim dhe Zeqir Kiçinën ndërsa me nga 30 vjet burg i dënoi Burim Ramadanin, Arsim Ramadanin dhe Arben Kiçinën. Blerim Kiçina u dënua me 10 vjet burg.

Në shtator 2009, Kolegji i Veçantë Penali Gjykatës ( kryesisht gjykatës të EULEX-it) i vërtetoi dënimet e Gjykatës Supreme të Kosovës.

KMDLNj, që nga fillimi i këtij procesi ka shfaqur rezerva ndaj hetimeve dhe dënimeve të shqiptuara duke konsideruar se aktakuza nuk është mbështetur me prova bindëse materiale që e dëshmojnë fajësinë e të akuzuarve, tash të dënuarve për këtë krim të tmerrshëm!

KMDLNj-ë konstaton se me këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të rënda të procedurës, shntazhimit të të akuzuarve dhe të dëshmitarëve, joshjes duke premtuar para dhe strehim në një vend tjetër si dhe zhdukjes së provave materiale që ishin në favor të mbrojtjes për të akuzuarit, tash të dënuarit me dënime drakonike!

KMDLNj-ë gjithashtu mendon se këtij rasti i ka paraprirë një fushatë mediale e cila ka paragjykuar a priori fajësinë e të akuzuarve tash të dënuarve dhe ka ndikuar në vendimet e Gjykatës, në të gjitha shkallët!

Andaj, KMDLNj-ë kërkon që përmes një hetimi të paanshëm dhe profesional të zbardhet " rasti Hajra" dhe përgjegjësit e vërtetë për këtë krim të tmerrshëm ta marrin dënimin e merituar. Me një fjalë KMDLNj-ë drejtësi për " rastin Hajra" dhe jo hetime apo gjykim të improvizuar!

KMDLNj-ë kërkon që ky rast të kalojë në duart e hetuesve dhe gjykatave vendore duke kërkur përjashtimin e gjykatësve të EULEX-it të cilët nuk do të duhej të kishin mandat për gjykimin e shtetasve të Republikës së Kosovës!

KMDLNj-ë këmbëngul që "rasti Hajra" të rihetohet dhe pas kësaj të ketë rigjykim duke pohuar se nuk ka prova bindëse se të dënuarit: Burim Ramadani, Arsim Ramadani, Arben Kiçina dhe Blerim Kiçina janë fajtorë për këtë vepër penale. Ata, më shumë janë dënuar në bazë të paragjykimit se mund të jenë në dijeni për ata që vërtetë janë përgjegjës për këtë krim e jo që e kanë kryer krimin.

Andaj, me një procedurë të shpejtuar duhet që " rasti Hajra" të rishqyrtohet!

Krimin ndaj familjes Hajra KMDLNj-ë e konsideron si një krim të tmerrshëm për të cilin duhet ta marrin dënimin e merituar ata që janë përgjegjës !

a.b/e.r/NOA

KOMENTE