English

KMDLNj reagon mbi dhunën e ushtruar për të arrestuar Albin Kurtin

Monitorues të KMDLNj-së vizitojnë të ndaluarit gjatë përpjekjes për arrestimin e Albin Kurtit dhe policët e lënduar!

Prishtinë, 27 Prill NOA - Monitorues të KMDLNj-së, vizituan të ndaluarit, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe policët e lënduar gjatë një përpjekje për arrestimin e Albin Kurtit, në ceremoninë e varrimit të atdhetarit të ndjerë, Ali Aliut. Monitoruesit e KMDLNj-së fillimisht vizituan shtatë të ndaluarit, në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë, pesë prej të cilëve ishin të lënduar.

Monitoruesit e KMDLNj-së, të gjendur te të gjithë të ndaluarit dëgjuan ata teksa deklaruan se janë keqtrajtuar fizikisht nga policia, vërejtën lëndime kryesish në kokë, shpinë dhe këmbë.

Salih Zyba, aktivist i lëvizjes Vetëvendosje tregoi se ai ishte lënduar duke u goditur me çizme nga policia gjatë arrestimit si dhe është rrahur nga një civil në praninë e policit me nr. 8131 në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.

Arsim Maçastena, gjithashtu tha se ishte i lënduar në këmbë gjatë arrestimit dhe më pas në veturën e policisë. Sipas tij, policia ia kanë përplasur kokën për xhami të autoburgut, duke i shkaktuar çarje të kokës.

Frashër Krasniqi, i rrahur pas arrestimit gjatë marrjes në pyetje nga një oficer policie. Ka shenja të dukshme në duar dhe trup nga dhuna e ushtruar.

Gëzon Kastrati, i rrahur gjatë arrestimit por që sipas tij në Qendrën e Ndalimit nuk është rrahur dhe Lirim Gashi, i rrahur nga policia me grushte në pjesën e barkut pas arrestimit.

Hysen Durmishi dhe Arben Selmani deklaruan se nuk është përdorë dhunë ndaj tyre as kur janë arrestuar dhe as gjatë qëndrimit në Qendrën për Ndalim! Sipas të ndaluarve të lënduar, pas arritjes në Qendrën e Ndalimit u është dhënë ndihma e parë e mjekut duke i trajtuar edhe me injeksione qetësuese.

Ndërkaq, u vizituan edhe policët e lënduar gjatë këtij intervenimi të cilët kishin lëndime të ndryshme.

Policët e lënduar ishin: Xhevdet Bajraktari i cili ishte goditur me me gur në këmbë, polici Burim Bahtiri ishte lënduar në dorë nga dera e veturës zyrtare të cilën ia kishin përplasur ata që kundërshtonin intervenimin policor dhe të cilit i ishin thyer tre gishtërinj të dorës. Ndërkaq policët Abaz Qorri, Arben Elshani, Imer Rama dhe Naim Buzaku ishin lënduar nga një veturë civile që sipas tyre ishte një veturë Skoda Octavia, ngjyrë e gjelbër me nr. të regjistrimit 604459.

Të katër policët e lënduar me veturë kishin kryesisht lëndime në këmbë. Nga monitorues të KMDLNj-së në Qendrën Emergjente në Prishtinë u vizitua edhe polici i lënduar rëndë Ajet Keqolli, i cili sipas mjekëve kujdestarë dyshohet për fraktura në boshtin kurrizorë dhe që pritej ekzaminimi i tij.

KMDLNj thotë se e dënon intervenimin e policisë në lokacionin e Varrezave të Qytetit si të panevojshëm dhe të pashembullt si dhe dhunën nga policia gjatë arrestimit të aktivistëve të Vetëvendosjes dhe pjesëmarrësve në varrim.

Gjithashtu, KMDLNj dënon dhunën fizike dhe gjatë mbajtjes të arrestuarve në Qendrën për Ndalim. KMDLNj konsideron se arrestimi në ritin e varrimit e sidomos kur bëhet fjalë për varrimin e veprimtarëve të shquar të çështjes tonë kombëtare siç ishte Ali Aliu, për KMDLNj-në është provokues dhe fyes, si për familjen e të ndjerit ashtu edhe për pjesëmarrësit në këtë ceremoni mortore.

Nga ana tjetër KMDLNj shpreh keqardhje për lëndimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës duke kërkuar hetime edhe për lëndimet e tyre.

Kurse në përfundim, kërkon hetime të shpejta, të paanshme dhe profesionale në mënyrë që të gjithë ata që janë përgjegjës për dhunën e ushtruar të përballen me ligjin.

a.b/NOA

KOMENTE