Novi Sad, 27 prill, NOA - Ministri i jashtëm francez, Bernar Kushner, tha se shpreson se Kosova dhe Serbia do të marrin pjesë në samitin e Sarajevës, i planifikuar për muajin qershor. "Le të shpresojmë se secili do të vijë dhe do të bisedoj me njëri tjetrin në Sarajevë", tha zoti Kushner dhe duke përmendur pjesëmarrjen eventuale të Kosovës dhe Serbisë në këtë samit, theksoi se ky "është proces dhe nuk mund të ndalet dhe do të duhet një gjeneratë për normalizim".
Sipas zotit Kushner, "Serbia duhet të udhëheq politika evropiane drejt Kosovës, nëse synon të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian".
Në intervistën për gazetën "Dnevnik" të Novi Sadit, ministri i jashtëm francez, Bernar Kushner, tha se në "Beograd dhe në Prishtinë, duhet të jetë e qartë për secilin se ata duhet të bisedojnë dhe bashkëpunojnë dhe pastaj ne do të shohim se a mund ta shpejtojmë integrimin evropian, të cilin dëshiroj ta shoh se po ndodhë".
"Unë nuk po kërkoj nga Serbia, që ta njohë Kosovën, por thjesht të filloj komunikimin me Kosovën", tha Kushner dhe shtoi se "ka çështje të rëndësisë së madhe jetësore, siç janë energjia elektrike, transporti dhe udhëtimi, e jo vetëm statusi".
Duke komentuar zhvillimet lidhur me ndaljen e telefonisë mobile të kompanive të Serbisë në Kosovë, ministri i jashtëm francez tha se "aq sa di unë, telefonat mobil po punojnë. Askujt nuk i parandalohet të flasë, vetëm duhet ta zgjedhin rrjetin".
NOA