English

Një letër e hapur

Prishtina dhe Kosova është bërë El Dorado për krim të organizuar dhe korrupsion dhe më këto punë duhet të merreni! Sot, mjetet narkotike dhe provat materiale për krime vidhen nga objekti i policisë dhe askush nuk përgjigjet! A ju duket kjo normale?!

Nga Behxhet Sh. Shala*

Drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ-së

Letër e hapur drejtuar:

z. Bajram Rexhepi, Ministër për Punë të Brendshme dhe

z. Behar Selimi, drejtor i Policisë së Kosovës

Të nderuar,

Më datën 26 prill 2010 ishte dita kur në Teatrin Kombëtar mbahej mbledhja komemorative me rastin e vdekjes së atdhetarit të shquar dhe ish të burgosurit politik, Ali Aliu - Prisheva i cili tërë jetën u angazhua për lirinë e popullit të vet duke e respektuar edhe lirinë për popujt e tjerë! Respekti i për jetën dhe veprën e Ali Aliut - Presheva në mbledhjen komemorative ishte në përputhje me vlerat e këtij njeriu modest në dukje por të madh në veprim! Në sallën e Teatrit Kombëtar ishin miq, bashkëveprimtarë, bashkëvuajtës dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Ishte e pranishme një gjeografi politike dhe kombëtare shqiptare. Në këtë mbledhje komemortaive foli edhe "krimineli " Albin Kurti i cili, me urdhër të një gjykate ndërkombëtare po ndiqet më shumë se vet Ratko Mladiq. Po të njëjtën ditë në ora 16. 00 ishte varrimi i të ndjerit në Varrezat e Qytetit. Isha i pranishëm edhe në mbledhjen komemorative edhe në varrim. Duke shkuar te varrezat, me të kaluar hekurudhën vërejta një autokombi me policë të Policisë së Kosovës ë që për mua nuk ishte shenjë e mirë! Policia e Kosovës i kishte mbuluar të gjitha rrugët që qonin të Varrezat e Qytetit. U largova nga varrezat, pak para se të intervenohej ndaj pjesëmarrësve në varrim. Nuk i dija as përmasat e intervenimit e as pasojat e atij intervenimi policor, krejtësisht të panevojshëm! Në Qendrën e Ndalimit i vizitova 7 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilët dukeshin sikur të ishin të kthyer nga një front lufte! Me koka të çara dhe me shumë gjurmë të dhunës fizike në trupat e tyre! Ishin rrahur brenda objektit të Policisë, në Qendrën e Ndalimit! Disa metra më larg, në një sallë ku vite më parë, në prani të shumë personave nga policia ishte rrahur tmerrësisht aktivisti i VETËVENDOSJES, Liburn Aliu, babai i të cilit u varros nën rrethimin policor të Policisë së Kosovës e cila pastaj intervenoi brutalisht, qëndronin policë të lënduar rëndë, me gishtërinjtë të thyer dhe këmbë në allçi, sikur të ishin kthyer nga fronti i Kandaharit! Për mua ishte një ndjenjë shumë e keqe! Vërtet, më dhimbësishin këta policë që ishin detyruar të intervenonin në një vend dhe rrethana ku asnjë polici e popullit dhe policia normale nuk do të intervenonte! Te Varrezat e Qytetit! Në Qendrën e Emergjencës u ndjeva edhe shumë më keq kur e vizitova një polic të Policisë së Kosovës i cili ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. I cili e kishte pësuar gjatë intervenimit!

Të nderuar,

Sinqerisht pata menduar se me ardhjen tuaj në krye të Ministrisë për Punë të Brendshme do të ndikoni që të humanizohet kjo ministri e që do të reflektoj edhe në sjelljet e policisë së Kosovës por duket se kam gabuar rëndë!

Gjithashtu kam besuar se me ardhjen e gjeneral Selimit në krye të Policisë së Kosovës do të ndodhë një ngritje cilësore profesionale në sjelljet e policisë! Edhe këtu paskam vlerësuar gabimisht nëse e kemi parasysh intervenimin e policisë që ndodhi dje!

Dhënia e urdhërit për intervenim policor pas përfundimit të ceremonisë së varrimit të një atdhetari të shquar siç ishte Ali Aliu - Presheva përveç se është veprim joprofesional edhe më shumë është veprim jomoral! Nuk mbaj mend se dikush ka intervenuar gjatë varrimit përveç se në Cikagon e Al Kaponesë!

Të nderuar,

Prishtina dhe Kosova është bërë El Dorado për krim të organizuar dhe korrupsion dhe më këto punë duhet të merreni! Sot, mjetet narkotike dhe provat materiale për krime vidhen nga objekti i policisë dhe askush nuk përgjigjet! A ju duket kjo normale?! Sot, droga shitet papenguar në lokale, shkolla madje dhe në burgje dhe mungon angazhimi për luftimin e kësaj dukurie! A ju duket kjo normale?! Grupet e organizuara kriminale i plaçkitin femrat në pikë të ditës dhe në vende publike dhe nuk e luftoni këto dukuri! A ju duket normale?! Plaçkitësit e ndryshëm hyjnë në banesa, shtëpi dhe objekte të tjera duke plaçkitur çdo gjë! Nuk pengohen! A ju duket kjo normale?! Sot, në Prishtinë dhe vende të tjera plaçkitësit dhe kriminelët i sulmojnë fëmijët tanë duke u plaçkitur celularë, duke i rrahur dhe duke ua vjedhur edhe rrobat e trupit! Dhe ne duhet të ndahemi të kënaqur që nuk i kanë mbytur fare! A ju duket kjo normale?! Në Kosovë veprojnë grupet paramilitare serbe dhe askush nuk merr guxim të ndërmerr masa ligjore?! A ju duket kjo normale?!

Krejt në fund. Ju i detyroheni një falje publike familjes së Ali Aliut që me intervenimin jonormal të policisë i keni përdhosë këtë ceremoni duke ua shtuar dhembjen! I detyroheni një falje publike edhe atyre që i keni spërkat me gaz lotsjellës dhe i keni rrahur gjatë intervenimit jonormal e që ishin aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, pjesëmarrës në varrim që e kundërshtonin arrestimin e Albin Kurtit!

Ju i detyroheni edhe një falje publike policëve tuaj dhe tanë që e kanë pësuar gjatë intervenimit jonormal me urdhër, nuk e di të kujt?!

Përveç faljes publike, duhet t'i bartni edhe sanksionet konkrete duke mos e përjashtuar as dorëheqjen, si akt moral për këtë veprim të pamoralshëm! Për shkelje të kodeksit moral shekullor i cili garanton paprekshmërinë e vendeve të caktuara dhe ngjarjeve, gjithashtu të veçanta! Me këto veprime asnjëherë nuk do ta keni përkrahjen e popullit madje do ta humbni edhe atë pak përkrahje! Hetojeni rastin dhe ndërmerreni masa ndaj përgjegjësve, sa nuk është bërë tepër vonë! Njeriu i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm, në raste të caktuara vepron sipas ndërgjegjes e jo sipas ligjit! Po të kishit vepruar kështu nuk do të ishim pjesë e këtij turpi, nuk do të kishim as të lënduar në mesin e aktivistëve të VETËVENDOSJES, as të pjesëmarrësve të varrimit e as të policëve të Policisë së Kosovës! Ky intervenim ka qenë i panevojshëm, i shmangshëm i cili ka shkaktuar dëme të mëdha!

(*) Dërguar nga autori, Prishtinë, 27 Prill 2010

KOMENTE