English

Protesta, Rama në Fier: Kjo qeveri e ka marrë të tatëpjetën

Fier, 27 prill, NOA - "Kjo qeveri e ka marrë të tatëpjetën, pasi e ka zhytur vendin në një krizë të thellë ekonomike. Grabitësi i votave, do ta shpallë Shqipërinë mbretëri dhe do të bëhet mbret por jo në mënyrë të ligjshme".

Kështu është shprehur kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë protestës së radhës të zhvilluar në qytetin e Fierit, bashkë me aleatët e tij opozitarë.

"Berisha premtoi se do të hapte 160 mijë vende pune në një kohë që vetëm tre muajt e fundit janë larguar nga puna duke shtuar radhët e papunësisë, edhe 70 mijë persona të tjerë", tha ai.

Më tej, Rama, vuri në dukje faktin e asaj që quajti vjedhje të arkës së shtetit nga pushtetarët duke pohuar se ata "po vjedhin arkën e shtetit, duke mbushur xhepat e tyre dhe duke ju varfëruar ju më shumë".

"Kjo krizë ekonomike, - ka thënë më poshtë ai, - po ju rrënon juve, familjet tuaj ehe ne bashkë me ju. Me këtë qeverisje shteti është kthyer në një fole ku populli u shërben disave".

Ndërkaq, Rama në fund të fjalës së tij u ka kërkuar pjesëmarrësve në këtë takim që në datën 30 prill të shkojnë në Tiranë për të protestuar kundër qeverisjes që po bën Sali Berisha dhe anëtarët e kabinetit të tij qeverisës.

n.e/NOA

KOMENTE