Lion, 28 prill, NOA - Skuadra e parë finaliste e "Champions League" do të jetë ajo e Bajernit të Mynihut, pasi ka fituar bindshëm ndaj francezëve të Lionit me rezultatin 3-0.
Protagonisti i kësaj ndeshje ka qenë kroati Ivica Oliç, i cili me tre golat e tij jo vetëm që i ka çuar bavarezët në natën finale, por mund të thuhet se ka pasur edhe natën më të madhe të shënuar në karrierën e tij.
Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 26-të, kur Oliç bëri një rrotullim të bukur për të kaluar mysafirët në epërsi, dhe me këtë avantazh u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë të takimit, Lioni u orvat që të barazonte rezultatin, por ka qenë vështirë për të që të thyente mbrojtjen e bavarezëve.
Edhe dy golat e tjerë të kësaj pjese për bavarezët mbajnë firmën e Oliç , përkatësisht në minutat 67' dhe 78'.
I bie që në finalen e madhe, skuadra e gjermanëve të Bajernit të ndeshet me skuadrën që do të kualifikohet sot pas ndeshjes Barcelona-Inter që zhvillohet në Camp Nou.
n.e/NOA