Prishtinë, 28 prill, NOA - Në selinë e qeverisë së Kosovës është duke u zhvilluar një mbledhje e jashtëzakonshme, pas bastisjes që iu bë zyrave të ministrisë së Transporteve dhe shtëpisë të ministrit Fatmir Limaj nga policia e EULEX.
Takimi ka filluar rreth dy orë më parë dhe në të merr pjesë vetë ministri Fatmir Limaj, si edhe ambasadorët e akredituar në Prishtinë.
Para mbajtjes së tij, në ndërtesën e qeverisë janë parë të hyjnë vetë shefi i EULEX-it Yves de Kermabon, shefi i ICO-s, Piter Feith dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell.
Ndërkohë, selia e ministrisë së Transporteve në Kosovë vazhdon të jetë e rrethuar nga njësitë speciale të policisë së EULEX, të cilat kërkuan serverin me të dhëna dhe sekuestruan një mori dokumentesh gjatë momentit të bastisjes.
Ndërkaq, përveç zyrës dhe shtëpisë së Fatmir Limajt, policia ndërkombëtare kontrolloi edhe disa prona të vëllait të tij, si dhe zyrat e disa kompanive që kishin fituar tendera nga Ministria e Transporteve.
n.e/NOA