Korçë, 28 prill, NOA - U kishin dhënë para borxh dy personave dhe këta jo vetëm që nuk ua kthenin, por edhe ua mohonin, e të gjendur në kushte të tilla paradhënësit janë detyruar të kryejnë denoncim penal në polici.
Rasti i parë i përket 63-vjeçarit Pëllumb Sejatllari, ndaj të cilit ka bërë një kallëzim penal 42-vjeçarja me inicialet M.P. për marrjen e një shume prej 300 mijë lekësh dhe mohimin e saj; që të dy lindur dhe banues në qytetin e Korçës.
Ndërsa rasti i dytë i mashtrimit, është ai i kryer nga 50-vjeçari Asqeri Afesllari nga Vërdova e Pogradecit, i cili akuzohet nga 56-vjeçari me inicialet F.T. nga fshati Buçimas për moskthimin dhe mohimin e një borxhi prej 2600 eurosh.
Për të dyja këto ngjarje, forcat e policisë kanë kryer veprimet e para hetimore proceduriale për veprën penale të "Mashtrimit", parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.
n.e/NOA