English

Përmet, takim në kuadrin e fushatës anti-kanabis

Përmet, 28 prill, NOA - Në kuadrin e fushatës sensibilizuese "Për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në komunat e qarkut Gjirokastër", një takim i posaçëm është organizuar nga zyrtarët e policisë në qytetin e Këlcyrës dhe Përmetit.

Në këtë takim, kryetari i Komunës Frashër ka theksuar se ligji detyron vendorët që të bëjnë fushatë sensibilizuese, ndërsa policia duhet përshëndetur lidhur me një fakt të tillë.

"Në komunën Frashër s'do përsëritet më fenomeni i vitit të kaluar ku në një fshat u kultivua kanabis në tokat që familjarët ishin në Greqi dhe strukturat vendore të fshatit nuk kryen detyrën", u shpreh ai.

Ndërkaq, kryepleqtë e komunave të pranishëm në këtë takim pohuan se i kishin marrë secilit kryefamiljar në fshatra, deklaratë me shkrim që në tokat në pronësi të tyre s'do kultivohet bimë narkotike.

Njëkohësisht ata kërkuan më shumë bashkëpunim me strukturat e policisë jo vetëm për parandalimin e kanabisit, por edhe për shkelje të tjera ligjore që mund të ndodhin në territoret që ata administrojnë.

n.e/NOA

KOMENTE