I riu refuzoi të tregojë ç'i kishte ndodhur por mjekët i treguan policisë se viktimës i ishte futur një shkop në anus, i cili ishte depërtuar deri në mushkëri
Kretë, 28 Prill NOA E Plotë - Në luftë me vdekjen gjendet një i ri shqiptar në spitalin shtetëror të Haniasë në Kretë pasi me plagë të rënda ka përfunduar në duart e mjekëve për shkak të dhunës fizike që ka pësuar nga disa persona të tjerë. E pabesueshme por e vërtetë, por shqiptarin "e kanë shkuar në hell". Edhe pse ai nuk ka pranuar të rrëfehet duke thënë se kishte pësuar një incident duke u rrëzuar në banjë, mjekët gjatë operacionit kanë zbuluar provat e krimit makabër dhe kanë pohuar se 35-vjeçari është torturuar për minuta të tëra.
Tortura ka ndodhur në Hania dhe zanafillën e ka të premten që shkoi, kurse sot janë zbardhur detajet e ngjarjes.
Autorët kishin ngulur në trupin e emigrantit një shkop fshese dhe pikërisht në zonën e anusit dhe duke ia përshkuar deri në mushkëri. Si pasojë e depërtimit në këto pjesë të trupit të shkopit, janë çarë zorrët dhe janë dëmtuar seriozisht disa nga organet jetësore, u shprehën mjekët në spitalin e Haniasë, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Mjekët deklaruan se gjetën copëza të shkopit të fshesës në zonën e anusit të të riut shqiptar por edhe më në brendësi të trupit ku kishte depërtuar mjeti që kishin përdorur autorët për të çnderuar dhe torturuar 35-vjeçarin.Policia tha se ka marrë në pyetje vëllain e emigrantit të dëmtuar i cili tha se nuk kishte dijeni për atë që kishte ndodhur. Kurse vetë viktima i torturës, mohoi të ishte dhunuar. Ai tha se ishte detyruar të paraqitej në spital për shkak se kishte pasur një incident në banjën e shtëpisë së tij në rrugën "Iroon Politehniu", pa sqaruar më tej dhe për shkak të dhimbjeve kishte kërkuar mjekim në Repartin e Kirurgjisë.
Pikërisht ky mjekim ka zbuluar torturën. Jorgos Arhontakis, Drejtor i Shërbimit Mjekësor të Spitalit të Haniasë, tha sot se ndonëse i riu arrin të flasë ai është në rrezik për jetën pasi i është çarë zorra e trashë dhe ka rrezik kalbëzimi. Arhontakis, konfirmoi se i riu u paraqit për mjekim të premten në mbrëmje por pas analizave u mbajt në reanimacion për shkak të temperaturës së lartë dhe kur u krye ndërhyrja mjekësore u zbulua se ai ishte abuzuar duke iu futur në anus një shkop druri.
Policia tha se zyrtarisht janë dy pistat e krimit. E para ajo e torturës nga një grek, vëlla i të dashurës së braktisur nga 35-vjeçari kurse pista e dytë ajo e hakmarrjes nga disa shqiptarë për shkak të një borxhi të pakthyer.
Burime të tjera policore jozyrtare thonë se më shumë dyshime ka për të paktën dy grekë, ku njëri prej tyre është vëlla i të dashurës së 35-vjeçarit, ngjarje e ardhur nga ndarja e çiftit, e përjetuar keq nga i afërmi i vajzës greke.
n.s/e.r/NOA