English

Vendoset busti i Mitrush Kutelit në Pogradec

Pogradec, 28 prill, NOA /Milena Selimi - Përurohet në Pogradec monumenti i shkrimtarit Mitrush Kuteli, i realizuar nga Muntaz Dhrami dhe i vendosur në breg të liqenit, përballë monumentit të Poradecit.

Në prani të familjarëve, miqve, njerëzve të letrave, përfaqësuesve të pushtetit vendor, monumenti i Mitrush Kutelit, realizuar nga skulptori Muntaz Dhrami, është përuruar dje në qytetin e Pogradecit.

Monumenti i Kutelit, realizohet 43 vjet pas vdekjes së shkrimtarit.

Kryetari i bashkisë, Artan Shkëmbi e përshkroi monumentin si "një vepër dinjitoze e realizuar nga skulptori Muntaz Dhrami, që e falënderojmë për të dy monumentet e realizuara mjeshtërisht".

Djali i shkrimtarit, Pandeli Pasko, theksoi se historia jonë ka filluar t'u kthehet vlerave të vërteta. Pasko kujtoi në këtë takim një amanet të t'et: "Duajeni shqiptarinë dhe dheun e saj".

Në vazhdim, një sesion shkencor në Pallatin e Kulturës "Lasgush Poradeci", me njohës të veprave të Kutelit, ku studiues të veprës së tij folën për vlerat unikale të krijimtarisë.

Ky mjeshtër i prozës shqiptare na ka lënë një prozë krejt të veçantë e cila njihet si "shkolla kuteliane".

I rritur midis bukurive të liqenit, të qytezës së tij mbi ujë, Kuteli i fali prozës shqiptare perla të përjetësuara tek "Pylli i gështenjave", "Lumi i madh", "Xha Brahua i e Shkumbanores", "Netët e Kollozhekut", "Balta Shqiptare", "Poem i Shën Naumit".

m.s/n.e/NOA

KOMENTE