Fier, 28 prill, NOA - Forcat e policisë së Fierit bëjnë të mundur arrestimin e dy personave, të cilët akuzohen se kanë vjedhur dy televizorë plazma në dy lokale.
Bëhet me dijeni se dy të ndaluarit janë 19-vjeçari Gëzim Gjino, lindur dhe banues në fshatin Seman të Fierit si edhe Granit Giçi, 22-vjeç, banues në fshatin Hamil të Fierit, i cili rezulton të jetë i dënuar edhe më parë për veprën penale të vjedhjes e kryer në bashkëpunim.
I pari ishte shpallur në kërkim pasi në fshatin Seman, më 25 mars të këtij viti, ai dyshohet të ketë vjedhur televizorin plazma në lokalin në pronësi të pronarit me inicialet V.K.
Ndërsa i ndaluari i dytë dyshohet se ka vjedhur po një televizor të këtij lloji në mjediset e lokalit në pronësi të pronarit inicialet L.B.
Nga ana e strukturave të policisë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy televizorët e mësipërm, ndërsa materialet proceduriale në ngarkim të këtyre dy personave do t'i kalojnë prokurorisë së Fierit për veprën penale "Vjedhje", parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
n.e/NOA