English

Zv/ministrja e Kulturës: Berati, e meriton një festival të përvitshëm

Berat, 28 prill, NOA - Ndikimet e qytetërimit italian dhe kulturës italiane në tërësi në Shqipëri, si një nga kulturat më të kahershme dhe me vlera të përbotshme, janë edhe sot e kësaj dite të prekshme dhe prezente në shumë nivele të shoqërisë shqiptare.

Kështu i ka vlerësuar raportet kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë, në fjalën që mbajti gjatë hapjes së edicionit të parë të projektit "Festivali i Beratit 2010", zv/ministrja e Kulturës, Suzana Turku.

Sipas saj, "lidhjet mes dy popujve tanë janë sa të hershme aq dhe të qenësishme". "Pikëtakimet e shumta historike dhe artistike të dy popujve tanë përbëjnë një gur themeli të fortë për të intensifikuar dhe çuar më tej bashkëpunimet në fushën e kulturës", tha ajo.

Ndërsa në lidhje me qytetin e Beratit, ka pohuar se e meriton plotësisht t'i dedikohet një veprimtari e përvitshme e përmasave të këtij lloji, veprimtari e cila është një element më shumë që do të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit dhe zonave turistike rreth tij, dhe shndërrimit të tij në një pikë të rëndësishme të zhvillimit të turizmit kulturor.

"Berati, sikundër Gjirokastra dhe Butrinti, tashmë të shpallura nga Unesco si pasuri botërore të mbarë njerëzimit, kanë qenë dhe janë prioritete absolute në proceset e hartimit të strategjive, planifikimit të investimeve, si dhe të thithjes dhe orientimit të ndihmës së huaj.

Kjo, jo vetëm për faktin se këto tre qendra paraqesin vlera të veçanta dhe të papërsëritshme të trashëgimisë sonë kulturore, por dhe për faktin e thjeshtë që një menaxhim i mirë i tyre do të sjellë përfitime ekonomike dhe shoqërore të komuniteteve që i kanë ruajtur dhe do t'i përcjellin ato tek brezat e rinj", përfundoi ajo.

n.e/NOA

KOMENTE