English

Bode në Kuvend: Borxhi i Shqipërisë, më i miri në rajon dhe me pak kosto

Tiranë, 29 prill, NOA – Borxhi aktual i Shqipërisë është më i miri që kanë vendet e rajonit, pavarësisht nga madhësia, pasi 60% i nivelit të tij është i brendshëm dhe pa asnjë rrezik për vendin.

Një fakt të tillë e ka pohuar gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare, ministri i Financave, Ridvan Bode, në shenjë reagimi ndaj akuzave që u hodhën nga deputetët socialistë për krizë të madhe ekonomike dhe nivel të lartë borxhi.

“Shqipëria nuk vuan nga borxhi, por nga një opozitë që është mbyllur në kutinë e votimit”, ka qenë kundërpërgjigjia e Bodes në emër të qeverisë, ndaj akuzave të tilla.

Ai ka sqaruar se “në pjesën më të madhe të tij, borxhi aktual i vendit është borxh koncesionar dhe me koston më të ulët në rajon, kur vendet e tjera e kanë atë mbi vlerën prej 4 % të GDP-së”.

Më tej, ministri i Financave ka pohuar se vendi nuk gjendet aspak në krizë dhe se kemi një rritje ekonomike, ndryshe nga pjesa më e madhe e vendeve evropiane që kanë shënuar staniacion për efekt të krizës ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk është në krizë, kemi rritje 3.3 % të ekonomisë dhe vetëm tremujorin e parë të vitit, u shënuan 3 % më shumë të ardhura”, tha ndër të tjera kreu i dikasterit të Financave.

n.e/NOA

KOMENTE