Prishtinë, 29 prill, NOA – Gjetjet e provave për disa tenderë rrugësh gjatë periudhës 2007-2009, mësohet të kenë qenë arsyeja e bastisjeve të djeshme, të kryera nga forcat e misionit të EULEX-it në zyrat e ministrisë kosovare të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe në shtëpinë e ministrit Fatmir Limaj.
Një fakt i tillë komunikohet në deklaratën sqaruese që misioni i EULEX-it ka dhënë për situatën e krijuar.
“Nën mbikëqyrjen e Zyrës së Prokurorisë Speciale, Policia e EULEX-it ka bastisur Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, si dhe banesat private të personave nga kjo ministri. Kjo është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë”, - theksohet në deklaratën e EULEX-it.
Ndërkaq, prokurorët special të EULEX-it ishin të pranishëm në vendngjarje për të siguruar mbledhjen efektive të materialit dëshmues dhe të japin shpjegime të plota dhe të duhura personave të pranishëm në vendngjarje.
“Duhet të theksohet se në këtë fazë bastisjet janë thjesht të karakterit hetues, dhe materiali i cili është duke u mbledhur do të analizohet me kujdes nga policia dhe PSRK-ja”, - thuhet më tej në komunikatë.
n.e/NOA