English

Fëmijët e ngujuar, parlamenti diskuton rikthimin e tyre në Poliçan

Tiranë, 29 prill, NOA /Blerina Ahmetaj- Fëmijët e ngujuar si pasojë e gjakmarrjes mund të rikthehen në Qendrën e Trajtimit të Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan, e cila prej një viti funksionon si rezidencë e moshës së tretë.

Një vit më parë, rreth 30 fëmijët e ngujuar që strehoheshin aty, u larguan pas skandalit së krijuar mes drejtuesve të qendrës dhe Bashkisë së Poliçanit në lidhje me fondet e lëvruara për këtë qendër.

Në komisionin parlamentar të Çështjeve Sociale, drejtues të ministrisë së Punës dhe asaj të Arsimit, kanë theksuar nevojën e trajtimit të fëmijëve të ngujuar në qendër pasi aty plotësohen dhe nevojat e tyre për arsim dhe shërbime sociale.

Sipas përfaqësuesve të ministrisë së Punës, qendra në fjalë është marrë në administrim nga kjo ministri dhe mund të rishihet ideja e rikthimit të fëmijëve të ngujuar në qendër, por e rëndësishme mbetet që fëmijët të jenë në shoqërinë e të rriturve.

Zv/ministri Shamata ka raportuar para komisionit, punën që po bëhet për arsimimin e fëmijëve të ngujuar, kryesisht në zonat e thella të Shkodrës.

Sipas tij, deri në muajin tetor të vitit 2009, rreth 62 fëmijë kanë marrë mësim në rrethana të ndryshme në zonën e Shkodrës, atje ku gjendet dhe numri më i madh i fëmijëve të ngujuar prej gjakmarrjes.

“Një numër i tyre marrin mësim në 2 shkollat 9-vjeçare të Shkodrës, ndërsa pjesa tjetër mësojnë në kushte shtëpie, çka përbën një problem.

Me projektin “Shansi i Dytë” kemi menduar që të punësojmë 22 mësues për t’i dhënë mësim këtyre fëmijëve. Mundësia për të arsimuar fëmijët në zonat e thella malore është shumë e vështirë”, tha zv/ministri Shamata.

Sipas të dhënave të MASH, deri në tetor të vitit 2009 raportohen 62 fëmijë të ngujuar që marrin mësim pranë shkollave 9-vjeçare në Shkodër ose në kushte shtëpie.

n.e/NOA

KOMENTE