Boksieri i mirënjohur, në ring më 2 maj 2010, për të mbrojtur për herë të katërt titullin e kampionit të botës në versionin WBF. Kundërshtari i tij, Esteban Valdemar Ponce, nga Buenos Aires, ka një bilanc solid si boksier profesionist
Altin Kodra
Tiranë, 30 Prill NOA Boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato, do të ngjitet në ring më 2 maj 2010, për të mbrojtur për herë të katërt titullin e kampionit të botës në peshën e mesme në versionin WBF dhe këtë radhë sfidanti i shqiptarit do të jetë argjentinasi Esteban Valdemar Ponce. 26-vjeçari nga kryeqyteti i Argjentinës, Buenos Aires, ka një bilanc solid si boksier profesionist me 16 fitore të realizuara, prej të cilave 8 me KO, 4 humbje dhe një barazim.
Gjithsesi fakti që e favorizon Qaton është se kundërshtari i tij nuk ka përvojën e tij, dhe nuk ka zhvilluar asnjëherë një duel prej 12 rundash, sa zgjasin duelet për titujt botëror. Në vitin 2008 Ponce ka tentuar titullin e kampionit të botës për të rinjtë në versionin IBF për peshën e mesme, por është mposhtur në Kiev nga ukrainasi Maksim Bursak. Më parë ishte përfolur që për kundërshtar të Qatos për duelin e 2 majit të jetë serbi me banim në Austri, Gojko Knezheviç, por si duket ai nuk ka pranuar përsëri që të ndeshet me boksierin shqiptar, aq më tepër në Tiranë.
Pas fitores së shënuar me 21 mars në Londër ndaj Aleks Spitko, Kreshnik Qato, i njohur në arenën ndërkombëtare edhe me pseudonimin “The Eagle” (Shqiponja), ka udhëtuar drejt Francës ku po zhvillon fazën përgatitore, gjë që e bën gjithmonë para ndeshjeve të rëndësishme. Qato është stërvitur atje deri dje në mbrëmje, ndërsa pritet të zbarkojë në Tiranë më 30 prill. Duke folur para ardhjes në Tiranë, boksieri shqiptar është deklaruar i gatshëm për përballjen e tij të 2 majit dhe ka theksuar se është i sigurt se do të dalë triumfues nga ringu.
Duke folur nga Franca, atje ku po zhvillon fazën përgatitore Qato ka thënë se po stërvitet deri në maksimum dhe, duke qenë se përballja zhvillohet në Tiranë për Qaton kjo është një përgjegjësi shtesë. “Jam në vendin tim”, - ka thënë ai, duke shtuar: “Përfaqësoj Shqipërinë dhe kompaninë “Yldon”, dhe kjo nënkupton shumë përgjegjësi. Por të gjithë përgatitjen që unë kam bërë do ta shpalos më së miri.” Argjentinasi Esteban Waldemar Ponce do të tentojë që të marrë me vete brezin të cilin Qato e zotëron që nga prilli i vitit 2008.
Përpara kësaj sfide, Kreshnik Qato ka një bilanc prej 21 fitoresh dhe 6 humbjesh dhe në renditjen botërore të boksit profesionist, ai tanimë renditet i 39-ti midis afro 1,050 boksierëve të kategorisë së peshës së mesme, ashtu sikundër është ngjitur edhe në renditjen evropiane, ku mban vendin e 21-të midis afro 302 boksierëve. Por më e rëndësishmja është se në katër vitet e fundit ai mbetet i pamposhtur, duke shënuar 14 fitore radhazi.
Sipas burimeve pranë organizatorëve, kostoja e këtij evenimenti arrin shifrën prej 250,000 eurosh dhe në fakt ai ka nisur zyrtarisht që më 28 prill me mbërritjen e të ftuarve ndërkombëtarë, zyrtarëve e të tjerë. Boksieri argjentinas, Esteban Waldemar Ponce mbërrin të premten paradite në Tiranë, ndërsa kundërshtari i tij, Kreshnik Qato, do të zbarkojë në Rinas në mbrëmje.
Më 1 maj, në Tiranë do të zhvillohet Konventa Botërore e “World Boxing Foundation”, e cila do të përshëndetet nga Zëvendës-Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Dashnor Bajaziti, ndërsa një ditë më pas bëhet inaugurimi i Palestrës Profesioniste të boksit shqiptar, shiritin e të cilit do ta presë Ministri i MTKRS-së, Ferdinand Xhaferaj, si dhe mbahet Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Boksit Profesionist.
a.k/NOA
Curriculum Vitae
Datëlindja: 13 gusht 1978
Mosha: 32 vjeç
Kombësia: Shqiptar
Vendlindja: Shqipëria
Vendbanimi: Uembli, Londër - Britani e Madhe
Gjatësia: 180 cm
Kategoria e peshës: E mesme
Promotor: Ylli Ndroqi
Nofka: Shqiponja (The Eagle)
Renditja botërore: 39/ 1050
Renditja evropiane: 21 / 306
Bilanci: 27 ndeshje
Fitore: 21 (5 me KO)
Humbje: 6 (2 me KO)
Barazime: 0
Më 2 maj, edhe 3 duele të tjera, përfshi një duel femrash
Janë zyrtarizuar edhe 3 përballjet e tjera që do të zhvillohen në mbrëmjen e 2 majit 2010 në Tiranë, kur Kreshnik Qato do të mbrojë titullin e kampionit të botës në peshën e mesme në versionin WBF. Përveç duelit të boksierit kosovar Shpëtim Shala përballë kroatit Josip Jalushiç në program tashmë janë edhe dy përballje për titujt WBF International në kategorinë e rëndë dhe një duel femrash.
Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë promotorit të Qatos, dhe njëkohësisht presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit Profesionist, Ylli Ndroqi. Pas fitores së fundit të shënuar më 28 mars në qytetin e tij të lindjes, boksieri pejan Shpëtim Shala nuk do të pushojë gjatë për të zhvilluar përballjen e radhës. Ai do të ngjitet në ringun e Tiranës më 2 maj në një nga paraduelet e mbrëmjes kur Kreshnik Qato do të mbrojë titullin e tij të kampionit në versionin WBF për peshën e mesme.
Kundërshtari i “Albanian Bomber” do të jetë kroati Josip Jalushiç (10-17-1, 7 KOs) me të cilin Shala ishte dashur që të ndeshej me 18 prill të vitit 2009 për titullin Internacional të Austrisë, por në atë kohë Jalushiç kishte pësuar një dëmtim që i kishte pamundësuar zhvillimin e përballjes. 36-vjeçari nga Zagrebi, Jalushiç njihet si një boksier që ka ndarë ringun me emra të mëdhenj të boksit evropian. Gjithashtu ka ndarë ringun edhe me ish-kampionin e botës në peshën gjysmë të rëndë dhe “kruizer”, polakun Tomasz Adamek (40-1, 27 KOs) si dhe me sfidantin e titullit evropian Geoffrey Battelo (21-2, 18 KOs)
“Unë dhe kampi im e falenderojmë edhe promotorin Ylli Ndroqi, i cili tregoi gadishmëri dhe na mundësoi pjesëmarrjen në Tiranë”, - ka thënë Shala. Në një duel hungarez prej 10-rundësh Laszlo Hubert do të ndeshet me veteranin Zoltan Beres për titullin WBF International për peshën e rëndë. Ndërkaq, njëra nga vajzat që do të boksojë në Tiranë dhe është konfirmuar, është Laura Saperstein e lindur në Australi, e cila për momentin stërvitet në Angli me trajner Skot Louton.
Kundërshtarja e australianes më 2 maj do të jetë Daniela David nga kryeqyteti i Rumanisë, Bukureshti. Ajo është 28 vjec dhe ka zhvilluar 23 ndeshje, nga të cilat 19 humbje dhe 4 fitore. Ka konkurruar dy herë për titullin EBU - për kampione Europe dhe një herë për titullin GBU për kampione bote.