Tiranë, 29 prill, NOA – Lindita Arapi prezantohet për lexuesin shqiptar me romanin e saj më të ri “Vajzat me çelës në qafë”, në kolanën prozë bashkëkohore, botuar nga shtëpia botuese “Ideart”.
Sa rëndon mbi ne e shkuara, e jona e etërve, e gjyshërve? Sa e mbajnë mbi vete pasardhësit barrën e dhimbjes e padrejtësitë që ndjenë të parët? A kapërcen vuajtja brezat, duke u transmetuar në kohë, duke u kthyer në peng që vranëson të tashmen e pasardhësve?
A shëron rrëfimi vuajtjen?
Kjo është zanafilla e romanit të Lindita Arapit.
“Unë jam një viktimë, pa emër dhe pa varr! Ikur nga ajo botë në datën X, të muajit X, të vitit X. Pa emër se emri im nuk i intereson kujt më. Pa varr se nuk duhej të më gjenin as të vdekur”, kështu e nis romanin autorja Arapi.
E reja Lodja Lemani, gjithmonë qarkuar nga një brengë pa emër, jeton e vetme në një qytet evropian. I vetmi mik besnik është një hije që e shoqëron që nga fëmijëria dhe që ka kapërcyer me të edhe kufijtë. Për të kuptuar izolimin e saj, Lodja rikthehet në vendlindje, në një udhëtim jo vetëm çmallës pranë familjes, por në kohë, në të shkuarën e saj, por edhe atë të dy grave-jeta e të cilave është e lidhur me fijet e fatalitetit me jetën e saj.
Në një rrëfim zig-zag kohor na ofrohet një tablo e trishtë e tre brezave femërorë, trauma deri më tani e parrëfyer e femrës shqiptare.
“Dikur kam qenë edhe unë mes njerëzve, njeri me cene e të mira si të gjithë, me ëndrrën ta jetoja jetën deri në fund. Madje me njeriun kam qeshur, i kam bërë të mira, e kam mbajtur në kurriz, kur nuk mundte të hidhte çap. Tani më thërrasin viktimë. Ua them: Nuk ka fat më të keq se sa të ikësh nga ajo botë si viktimë!”.
Lindita Arapi është e njohur për lexuesin me krijimtari në gjuhën shqipe: “Kufomë lulesh”, poezi 1993, “Ndodhì në shpirt”, poezi, 1996, “Melodi të heshtjes”, poezi 1999, “Shenjat e dorës”, poezi të zgjedhura 2006. Ajo është nga autoret shqiptare që ka arritur të botojë edhe krijimtari në gjuhë të huaj: “Grenzverkehr Literarische Streifzüge Ost-West”, ese, me bashkautor, 2004, “Wie Albanien albanisch wurde”, studim 2005, “Am Meer nachts”, poezi, 2007, “Balkan beauty, Balkan blood”, tregime, bashkautore, 2008. Ka dhënë kontributin e saj edhe në fushën e përkthimeve me veprat e botuara: “Fjala dhe koburja”, përkthim 2005, “Net shqiptare”, përkthim 2005, “Tregimtarë të gjuhës gjermane I,II”, bashkëpërkthyese, 2008, 2009.
Milena Selimi/NOA