English

Opozita ikën nga seanca, Meta: Nuk ka asnjë arsye për të tilla sjellje

Tiranë, 29 prill, NOA Update - Pikërisht në momentin kur mesazhet për Shqipërinë janë jashtëzakonisht pozitive si nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO, opozita kryen sjellje që nuk e ndihmojnë procesin e integrimit dhe s’e ruajnë aspak imazhin e saj.

Kështu ka deklaruar zv/kryeministri Ilir Meta, në seancën plenare, menjëherë pas largimit të deputetëve të opozitës nga salla e Kuvendit sapo ka përfunduar afati 60-minutësh i diskutimeve të lira.

“Opozita nuk ka asnjë arsye të kryejë sjellje të tilla, e në një ditë, kur nga vetë shefi i NATO-s në Tiranë u hodhën deklarata pozitive për Shqipërinë. Apo kur asaj i janë dhënë të gjitha mundësitë që të kryejë transparencë për zgjedhjet që pretendon se i janë manipuluar”, tha Meta.

Sipas tij, opozita flet për një varfëri të jashtëzakonshme, “por nuk është roli i një opozite ta bëjnë këtë kur e gjithë bota është e tronditur nga një krizë globale e madhe dhe kur Shqipëria përmendet si një rast pozitiv i qëndrueshmërisë pozitive ekonomike”.

“Apo kur vendi fqinj, është në një krizë të jashtëzakonshme dhe për fat të keq, segmente të opozitës, kërkojnë të ngjallin një panik, duke dëmtuar interesat e të gjithë shqiptarëve dhe duan t’i ngatërrojnë edhe më shumë ata që do i mbledhin nesër në protestë”, përfundoi Meta.

n.e/NOA

KOMENTE