Tiranë, 29 prill. NOA – Kryetari i Partisë Socialiste nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e një përplasjeje mes protestuesve të opozitës dhe atyre të mazhorancës në datën 1 maj. Në një intervistë dhënë për BBC, kryetari i Partisë Socialiste i shmanget përgjigjes mbi këtë zhvillim duke thënë se për këtë gjë duhet të pyetet kryeministri Sali Berisha. Në intervistën e gjatë, Rama komenton dhe arsyet se përse opozita nuk i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se ky institucion nuk mund të pyetet për çdo detaj. Kreu i PS flet dhe për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës duke rikandidimi “është gjëja e fundit që unë sot mund të mendoj”. Nga ana tjetër Rama shton se “ne i fituam zgjedhjet, por nuk u zgjodhëm” dhe premton se protesta do të vazhdojë pa afat.
Më poshtë ndiqni intervistën e plotë:
Kritikët e qëndrimit zyrtar të PS-së mendojnë se kjo nuk është gjë tjetër veçse një strategji personale e kryetarit, pra e juaja, për të mos pranuar në asnjë mënyrë humbjen e zgjedhjeve. Cila është përgjigja juaj?
Nuk është e mundur që një popull i tërë të derdhet lumë në protestë për arsye personale të cilitdo qoftë, aq më tepër në kushtet kur sot jemi në demokraci, përsa i përket së paku zgjedhjes së një përkatësie partiake, apo zgjedhjes nëse dilet apo jo në një tubim, apo merret apo jo pjesë në një aktivitet. Kështu që besoj që jehona e madhe e përpjekjes time dhe të miqve e kolegëve të mi, është prova më e sigurtë dhe argumenti më i fortë që hedh poshtë këtë “lajthitje”.
Sot duket sikur në vitin 2008, kur bashkëpunuat me z. Berisha për ndryshimet në Kushtetutë dhe hartimin e kodit të ri elektoral, ju keni menduar vetëm se do t’i fitonit zgjedhjet dhe se do të ishit sot kryetar i qeverisë. Një katër vjeçar tjetër në opozitë po duket si një alternativë që ju nuk po e pranoni në asnjë mënyrë. Si do përgjigjeshit?
Ne i fituam zgjedhjet, por nuk u zgjodhëm. Nuk u zgjodhëm sepse ata që sot janë në pushtet nuk morën votën e popullit, por nuk e lanë popullin të zgjedhë. Sot jemi në kushtet ku një pushtet që nuk e la popullin të zgjedhë e ka futur Shqipërinë në rrugën e një rrënimi të pandalshëm edhe ekonomik, sepse ç‘ka i mban qeveritë në një demokraci funksionale të lidhura pas interesave të vendit dhe të popullit të tyre është fakti se tek e mbrapmja populli i gjykon ato me votë. Kur qeveria ia merr popullit votën edhe kur njerëzit nuk ia japin, atëherë, padyshim, gjëja e fundit për të cilën qeveria qetësohet është cilësia e jetës së njerëzve.
Nuk ua mori mendja asnjëherë në vitin 2008, në kohën që ju bëtë marrëveshje me të, se z. Berisha do të sillej ashtu siç ju besoni sot se ai është sjellë me zgjedhje?
Ne nuk jemi në një protestë e cila ka të bëjë me ligjin. Ne jemi në protestë sepse ligji nuk është zbatuar. Kur ne bashkëpunuam me palën tjetër, në funksion të disa interesave të mëdha të vendit, për t’i dhënë mundësi një shansi historik që Shqipëria të bënte zgjedhje të lira dhe të ndershme, të standardeve evropiane pas shumë e shumë vitesh, e bëmë këtë duke bërë detyrën tonë që ishte të bënim një ligj sa më të mirë. Zbatimi i ligjit është një çështje që nuk ka të bëjë fare me atë bashkëpunim, por ka të bëjë me mungesën e vullnetit për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe madje me një vullnet të mbrapshtë djallëzor për t’i tjetërsuar votat e njerëzve .
PS nën drejtimin tuaj hyri në zgjedhjet e vitit të kaluar me një numër të kufizuar aleatësh të kampit të majtë dhe kjo sot vlerësohet edhe si ndër arsyet e humbjes së PS . Me sa duket kjo është arsyeja që ju sot nuk po hezitoni që aleatët t’i kërkoni edhe nga qendra, por edhe nga krahu i djathtë i spektrit politik?
Përsa i përket çështjes së aleancës që është krijuar në këtë protestë, është një aleancë e natyrshme e të gjitha forcave që janë të të njëjtit mendim se në rast se nuk përballet dhe nuk çmontohet një mekanizëm i cili i tjetërson zgjedhjet, atëherë në Shqipëri gjithë funksionet bazë të demokracisë janë të kapura në funksion të pushtetit që e ka kthyer shtetin në një makineri në shërbimin e vet. Kjo është arsyeja e kësaj aleance të madhe që nuk ka kufi majtas, djathtas dhe është në rrugën e formimit si një aleancë për një program për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e thellë, e cila kërkon një reagim shumë të fuqishëm në shumë aspekte dhe reforma reale dhe thelbësore të domosdoshme prej kohësh, por tani më urgjente se asnjëherë tjetër.
Ndërkohë si e konsideroni rrugën që ju sugjeroi kundërshtari, z. Berisha, i cili tha që: shkoni në gjykatën kushtetuese dhe po qe e nevojshme dhe në komisionin e Venecias?
Ne nuk marrim këshilla dhe sugjerime nga një personazh i cili në më pak se 5 vjet qeverisje e ka shkelur kushtetutën e Shqipërisë jo më pak se 30 herë dhe, nga ana tjetër, nuk mund të shkohet në gjykatë kushtetuese për çdo episod dhe çdo detaj të një jete demokratike që është e rregulluar me kushtetutë dhe me ligj, aq më tepër pastaj për liri dhe të drejta siç është liria dhe e drejta e opozitës, në bazë të kushtetutës, që të ngrejë një komision hetimor dhe të mos kufizohet në objektin e hetimit nga shumica. Nuk kemi asnjë pikë të përbashkët në këtë arsyetim, por kjo është e natyrshme sepse zoti Berisha e di fare mirë se çfarë ka në kuti dhe kjo është arsyeja pse nuk e dëshiron hapjen e kutive, përkundrazi i mban ato me pahir të mbyllura duke e vendosur popullin opozitar përpara një domosdoshmërie që t’i rezistojë këtij pushteti me kërkesën e thjeshtë “Hap kutitë, ose largohu!”.
Kanë kaluar tashmë më shumë se dy vjet nga ngjarja e rëndë e Gërdecit dhe të gjithë e mbajnë mend reagimin e zbehtë në atë kohë të opozitës. Sot, po të gjykojmë, vështire se opozitës mund t’i paraqitet një rast kaq “i artë” për betejën e vet politike. A jeni penduar për këtë rast të humbur?
Ky është një mit urban i krijuar nga dëshira për ta parë asokohe qeverinë me këmbë përpjetë, por pa asnjë bazë në realitetin demokratik dhe kushtetues të këtij vendi. Reagimi ynë ishte i një opozite, siç ne jemi, qytetare dhe e vetëdijshme për domosdoshmërinë e një dënimi të fajtorëve duke e zbardhur krimin shtetëror të Gërdecit në rrugën e drejtësisë dhe për të mos bërë atë që është bërë gjithmonë historikisht në Shqipëri me rastet kur qeveria ka qenë fajtore për krime të ngjashme dhe ku politizimi i tejskajshëm e ka shpëtuar atë si një kamerdare. Nga ana tjetër dëshiroj ta ritheksoj se çfarë ka ndodhur nuk është aspak më e lehtë, e vogël apo e pranueshme sesa krimi shtetëror i Gërdecit. Është një tjetër veprimtari kriminale e organizuar për të tjetërsuar vullnetin e popullit dhe transparenca shërben pikërisht për të nxjerrë në dritë përmasën e kësaj veprimtarie dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë individë që kanë shkelur ligjin dhe janë bërë pjesë e këtij skenari kriminal. Në rast se ne nuk reagojmë që të gjithë si shoqëri lidhur me këtë element bazë të bashkëjetesës demokratike, kemi pranuar de fakto që nuk varet më qeveria prej nesh, por varet i gjithë populli nga qeveria. Mekanizmi është aty dhe mund të veprojë përsëri dhe njerëzit natyrshëm do të humbnin besimin tek zgjedhjet dhe do t’i braktisin ato masivisht, ashtu siç ndodh në republika të ngjashme bananesh apo ish sovjetike ku ka një demokraci në letër dhe ka në fakt një regjim të një natyre antidemokratike në fuqi.
Prej muajsh forumet e larta të PS-së, kryesia, sekretariati, nuk mblidhen, nuk funksionojnë sipas statutit. Në këtë pikë kritikët tuaj thonë se ju nuk ndryshoni shumë nga kundërshtari juaj, z. Berisha?
Nuk është çështje e BBC-së, është çështje e anëtarësisë së PS, e funksionimit të brendshëm të PS-së dhe unë jam i mendimit që i takon PS si organizatë të merret me problemet e organizimit të saj të brendshëm.
Përvoja e dy dekadave të fundit tregon se kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i shumicës, ka shumë gjasa që të mos tërhiqet nga pozicioni i mos hapjes së kutive, megjithë protestat tuaja. Keni ju një skenar të zhvillimeve politike në Shqipëri në një rast të tillë?
Fakti që një diktator, uzurpator, apo një personazh i kësaj natyre dhe këtij profili, në krye të një qeverie, mund të mos tërhiqet përpara evidencës që është kapur në flagrancë më shumë se një herë, dhe në rastin konkret në një çështje që është e një interesi të madh publik, nuk do të thotë aspak që ne duhet të mendojmë për një skenar tjetër sepse nuk ka skenarë alternativë përballë një qeverisje të kthyer në një sundim dhe një qeverie të kthyer në një regjim. Skenari i vetëm është rezistenca dhe mjeti i vetëm që na ka mbetur është protesta.
Ndonëse është ende herët për të folur, a do të rikandidonit për kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit vitin e ardhshëm?
Nuk është vetëm herët, por është jashtë kontekstit në të cilin sot jetojmë dhe është gjëja e fundit që unë sot mund të mendoj.
Keni deklaruar se protesta e ditës së premte nuk do të jetë e dhunshme. Si mund të shmangen, zoti Rama, përplasjet mes simpatizantëve nëse ju qëndroni në bulevard të nesërmen dhe partia në shumicë, me simpatizantët e saj, do jetë diku aty pranë?
Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni z. Berisha i cili si një organizator i vogël i 1 majeve të Enverit, atëherë kur ishte sekretar në një organizatë dhe mobilizonte kolektivin e ndërmarrjes spitalore të atëhershme për të shkuar dhe për të parakaluar para diktatorit, sot në cilësinë e kryeministrit të një vendi anëtar të NATO-s, shpik të njëjtin akt të pistë për t’i bërë të njëjtin karshillëk një opozite e cila është në rrugë për të kërkuar pikërisht prej tij asgjë më shumë sesa transparencën e detyrueshme të proçesit më jetik për një vend demokratik, që është proçesi zgjedhor.
Nëse deri në muajin qershor BE vendos ta fusë Shqipërinë në listën e bardhë Schengen, nuk ju mbeten shumë kredenciale juve që sot e gjithë ditën thoni që kjo qeveri e largon Shqipërinë nga Europa...
Unë besoj se prioritetet e BE-së, ku përfshihet dhe liberalizimi vizave për të gjitha vendet e rajonit, nuk kanë të bëjnë gjëkundi me meritat e kësaj qeveria e cila tashmë e ka mbushur kupën e turpit që mund t’i bënte Shqipërisë dhe duke bërë madje që të diskutohet Shqipëria si një vend që është dhe mbrapa Bosnjës. Pa asnjë dyshim liberalizimi vizave do të ndodhë, edhe sikur qeveria shqiptare të kalojë në paralizë të plotë duke mos bërë asgjë deri në fund të vitit.
Liberalizimi duhet të jetë një fakt i kryer pasi është një prioritet i tejshtyrë në kohë nga ana e BE-së për shkak të mungesës dhe plotë të efiçensës së qeverisë Shqiptare. Ne të gjithë jemi shumë të kënaqur që kjo do të ndodhë. Kam qenë gjithmonë i bindur që në këtë pikë Europa nuk duhet ta kufizonte lëvizjen e lirë të Shqiptarëve apo të tjerëve në rajon me performancën e qeverive të tyre sepse ky është një parim dhe një vlerë europiane, është një shtyllë e ndërgjegjes së saj, liria e lëvizjes. Nga ana tjetër do doja të bëhej e qartë dhe të kuptohej mirë nga të gjithë njerëzit se ajo ç‘ka do të ndodhë me liberalizimin e vizave do të jetë mundësi për të lëvizur lirshëm në Europë, por jo mundësia për të jetuar e punuar aty, gjë që e bën dhe më të qartë dhe imperative të vërtetën se ne do ta ndërtojmë Europën këtu. Ne duhet të bëjmë çmos që pa humbur kohë tjetër të çmuar dhe dekada të tjera, duhet që të kemi në Shqipëri një shtet europian, gjykata si në Europë, polici, arsim, shëndetësi si në Europë, e këto gjëra pastaj, kur i sheh nga kjo perspektivë, e bëjnë shumë të qartë pse kjo qeveri duhet të largohet një orë e më parë, sepse nuk ka lidhje fare me axhendën europiane.
Sikur qeveria ta dorëzonte sot pushtetin në duart e opozitës, në kushtet e krizës ekonomike, në kushtet kur Shqipëria tashmë po i ndjen drejtpërsëdrejti pasojat e krizës globale, rajonale, por edhe lokale, si do vepronit ju, a keni një mjet për ta nxjerrë Shqipërinë shpejt nga këto halle ekonomike për të cilat ju po i bëni thirrje njerëzve që të dalin në protestë?
Së pari dua të theksoj që kriza shqiptare nuk është pasojë e krizës globale, por është rezultat i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes. Pa as më të voglin dyshim është produkt, më shumë sesa i çdo gjëje tjetër, i mbrapshtisë qeverisëse të vitit të shkuar kur, për të blerë pushtetin, Sali Berisha shkatërroi arkën e shtetit në një 6 mujor të parë që nga pikëpamja e politikës ishte krim dhe nga ana tjetër dua ta theksoj shumë më fort që ne jemi në kushte akoma më të vështira sesa duket dhe ndjehet sepse nuk njohim të gjithë të vërtetën e krizës, pasi përballemi çdo ditë me shifra të manipuluara të cilat mundohemi t’i analizojmë duke nxjerrë shifrat tona alternative, fenomen ky i njohur dhe fenomen që po e çon në pikën zero vendin fqinjë Greqinë. Greqia e akumuloi gjithë këtë problem në dhjetëra dekada, ndërkohë që ne po përballemi me një problem të akumuluar në pak vite për shkak të këtij pushteti dhe padyshim të udhëheqjes qorre, tërësisht injorante në aspektin e politikës ekonomike të këtij kryeministri.
Cili ishte shkopi magjik i opozitës për të dalë nga kjo gjendje?
Pa as më të voglin dyshim sa më shumë kjo qeveri do të qëndrojë aty ku është aq më i madh do të jetë problemi, aq më e thellë do të jetë kriza, aq më e rëndë do të jetë barra e nxjerrjes së vendit nga ky batak. Por sigurisht që ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në gjendje që gjithçka ta bëjmë ndryshe, më mirë dhe, kuptohet, jo me shkopin e magjistarit sepse këtë nuk e kemi, por me diturinë dhe njëkohësisht aftësinë për të qeverisur në mënyrë shumë herë më të mirë, si nata me ditën me ç‘ka Shqipëria ka jetuar dhe po vazhdon të jetojë sot nën këtë regjim të korruptuar dhe njerëzish pa vizion, pa asnjë lloj përgjegjshmërie, të paaftë, që e kanë kthyer shtetin në një çerdhe shërbëtorësh të cilët vendet e punës i marrin vetëm për meritat që kanë të bëjnë me pushtetin.
FUND