Lazarat, 29 prill, NOA – Forcat e policisë së qarkut të Gjirokastrës janë grumbulluar sot në Lazarat jo për të ushtruar ndonjë kontroll mbi parcela të mbjella me kanabis, po për të organizuar një takim mbi sensibilizimin e fshatarëve për luftën kundër kësaj dukurie.
Nga ana e policisë ishte i pranishëm vetë zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj, si edhe drejtori i Policisë së qarkut Gjirokastër, Emri Vata bashkë me drejtorin e misionit Pameca 3, Cecil Craig.
Nga ana e tij, kryetari i komunës Lazarat, Dashnor Aliko, ndër të tjera ka theksuar se asnjë banor i këtij fshati s’do të kultivojë më bimë narkotike, pasi këtij fenomeni i ka ardhur fundi.
“Këtij fenomeni po i thuhet stop nga qeveria shqiptare, nga miqtë tanë ndërkombëtarë, ndaj edhe ne si banorë të këtij fshati duhet ta ndalojmë. Në rast se nuk i themi stop, ju them publikisht se të gjithë ata banorë që do tentojnë të kultivojnë bimë narkotike do të përballen me ligjin”, u ka thënë ai banorëve të komunës që drejton.
Ndërsa zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Agron Kuliçi, tha se ky është një aksion kombëtar ku janë përfshirë të gjitha strukturat vendore, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe më kryesorja, është përfshirë komuniteti si dhe nxënësit e shkollave.
n.e/NOA