Tiranë, 29 prill, NOA – Plot 5 miliardë euro investime parashikohet që të realizohen nga qeveria në 5 vitet e ardhshme për sektorin energjetik.
Një fakt të tillë, e ka bërë me dije vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë fjalës së mbajti në ceremoninë e hapjes së panairit të “Teknologjisë, Energjisë dhe Mjedisit”, organizuar nga Fiera del Levante dhe Alb-Konfindustria.
Në këtë panair, marrin pjesë kompani të cilat vijnë nga vende të ndryshme të Europës, si Italia, Austria, Gjermania, Çekia, por edhe nga Shqipëria e Kosova.
Ministri Prifti, vuri theksin në rëndësinë që ka marrë kohët e fundit sektori energjetik në vendin tonë, i cili paraqitet si një sektor me tepër interes për investitorët vendas dhe të huaj.
Ai tha se në muajt e fundit ka me qindra aplikime për konçensione të ndryshme në sektorin energjetik, një pjesë e të cilave gjenden në proces oponence teknike apo në atë të hapjes së tenderit.
“Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që mendojnë për të investuar në Shqipëri, u jemi mirënjohës qeverive të vendeve fqinje dhe për sistemin energjetik qeveria italiane është ndoshta qeveria numër 1 përsa i përket nivelit të fondeve dhe impenjimit për të mbështetur Shqipërinë në sektorin energjetik”, tha ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Për 5 vitet e ardhshme, ai tha përsa u përket investimeve në sektorin energjetik, se parashikohet të kapin një vlerë prej 5 miliardë eurosh.
“Ky është dhe një lajm tjetër i mirë për ata që dëshirojnë të investojnë për të prodhuar energji elektrike në Shqipëri, pasi energjia e tyre që nuk do të shitet në Shqipëri do të shitet në tregun italian”, tha Prifti ndër të tjera në fjalën e tij.
n.e/NOA