English

Regjisori Giuseppe Tornatore.. nga afër

Tiranë, 29 prill, NOA /Milena Selimi - Giuseppe Tornatore dhe Siçilia “e tij” kinematografike do të jenë protagonistë të një pasqyre përmbledhëse që do të zhvillohet në Tiranë në Teatrin Kombëtar nga data 30 prill në 2 maj.

Në një fundjavë të gjatë, nga e premtja deri të dielën, do të projektohen 4 filma plotësisht siçilianë përsa i përket ambjentimit dhe tematikës, “Nuovo Cinema Paradiso”, “L’Uomo Delle Stelle”, “Malèna” dhe “Baarìa”.

Këto filma do të shoqërohen nga disa dokumentarë të rrallë që Tornatore ka drejtuar në fillim të viteve '80, në periudhën që punonte për rrjetin e tretë te RAI-t.

Kjo pasqyrë eksploron raportin kinematografik ndërmjet Tornatores dhe ishullit Siçilia dhe që vë në pah lidhjen e fortë ndërmjet regjisorit e vendit të origjinës.

“La Cuna Del Sogno”. “La Sicilia Nel Cinema Di Tornatore” është titulli i pasqyrës që për tre ditë do të sjellë në Shqipëri horizontet dhe ngjyrat verbuese të Siçilisë, të para përmes kamerës së një prej regjisorëve më të rëndësishëm italianë që është gjithmonë i vlerësuar jashtë Italisë.

Do të plotësojë nismën ekspozita fotografike “Uno Sguardo dal Set”.

Nëntëdhjetë fotografi nga setet e dhjetë filmave të tij, duke ndaluar momentet më të rëndësishme, fytyrat, peizazhet dhe shumë çaste nga jeta në set.

Ekspozita është ndarë në njëmbëdhjetë pjesë, një për çdo film me ri-prodhimin e manifestit origjinal dhe në fillim një seleksionim të fotografive të Tornatore-s në set.

Është një mënyrë origjinale për të ripërshkruar filmografinë e regjisorit, për të rigjetur historitë e filmave të tij dhe zbuluar origjinën dhe perso-nazhet e shumta të kapura nga kamera e tij.

Nga filmi i parë 'Il Camorrista' deri te 'Baarìa', ëndrra e fundit e Tornatore-s.

Një ekspozitë në Teatrin Kombëtar në Tiranë per të rishikuar një karrierë kinematografike të mëse çerek shekulli, të vlerësuar dhe me një cmim Oscar në vitin 1990.

Aktiviteti promovohet nga Fondacioni Bonino-Pulejo në Messina në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe që bën pjesë në projektin 'Italia e Albania 2010 - Due Popoli, Un Mare, Un Amicizia'.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE