Tiranë, 29 prill, NOA – I vranë vëllanë dhe për t’i marrë hakun, ai kreu një tjetër vrasje për të cilën u dënua me plot 20 vjet burg nga gjykata.
Fjala është për të kërkuarin ndërkombëtar, Martin Begaj, 31-vjeç, lindur në Samaticë të Beratit, i cili është ekstraduar sot nga Milano e Italisë drejt Tiranës prej forcave të Interpolit.
Kjo pasi ai rezulton si i dënuar me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale te “Vrasjes me paramendim” dhe “Armëmbajtjes pa leje“, parashikuar nga nenet 78 dhe 278/2, të Kodit Penal, me një vendim të vitit 2001.
Mësohet se Begaj, 11 vjet më parë, ka kryer një vrasje ndaj Bardhok Cakës në fshatin e tij dhe bëhet me dijeni se motivi i saj ka qenë hakmarrja, pasi vëllai i viktimës, disa kohë më parë i kishte vrarë atij vëllain.
Ndërkaq, si rezultat i bashkëpunimit të zyrës së Interpolit në Tiranë me atë të Romës, në datën 04.10.2009 është bërë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë të autorit të krimit.
Ndërsa sot, në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ai i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
n.e/NOA