English

Dënohet shqiptari në Itali, se puthi në ballë një vajzë 13 vjeçe

Savona, Itali, 30 Prill NOA – Dhjetë muaj burg për një shqiptar 48 vjeçar, sepse kishte puthur një vajzë 13 vjeçe në ballë. Ndonëse “krimi” duket qesharak, kjo ngjarje është kualifikuar nga togat e zeza italiane si ngacmim seksual dhe kryerje veprash të turpshme me të mitur, ndaj burri shqiptar S.G., emigrant i rregullt, ka marrë nga Gjykata e Savonas në Itali, dënimin që do ta lërë në qelie për dhjetë muajt e ardhshëm të jetës së tij. E përpos qelisë, ai do të mbajë dhe turpin e njollën e akuzës së rëndë, paçka se vetë ai këmbëngul se gjithçka ishte vetëm një puthje në ballë.

Në fakt, edhe gjyqtarja e çështjes, Donatella Aschero, e ka pranuar se 48-vjeçari S.G thjeshtë ka puthur në ballë vogëlushen 13 vjeçare, kurse prokuroria ka shtuar se veç puthjes, i pandehuri i ka ledhatuar edhe flokët.

Sipas hetimit të prokurorisë, sinjalet për këtë ngjarje, nëse mund të kualifikohet si ngjarje, erdhën nga dy gra, shtetase italiane, të cilat treguan se korrikun e vitit 2009, S.G ishte parë duke “abuzuar” me të miturën në lokalitetin Villapiana të Savonas.

Dy gratë dëshmuan se 48-vjeçari shqiptar i ishte afruar vajzës 13 vjeçe që kishte nxjerrë qenin jashtë dhe e kishte puthur në ballë, njëkohësisht i kishte ledhatuar flokët me duar.

Gratë fqinje kanë deklaruar se ishin trembur nga skena që panë dhe njoftuan policinë e cila solli në pak minuta një grup arrestues i cili i vuri prangat të dyshuarit që u shtang nga episodi me të cilin u përball.

Ndërkohë, avokati i 48 vjeçarit shqiptar, Lorenzo Corridori, e ka konsideruar gjyqin krejtësisht të padrejtë, akuzën si hipotetike dhe procesin si farsë. Avokati tha se vendimi i Shkallës së Parë do të dërgohej prje tij në Gjykatën e Apelit për ankimim.

Sipas mbrojtjes, i pandehuri ishte duke qëndruar për t’u çlodhur në park ku edhe erdhi vajza fqinje 13 vjeçare e cila po shëtiste qenin dhe e ka afruar duke e parë vetëm në syrin e një fëmije dhe së bashku kanë bërë dy hapa xhiro në pritje të qenit.

i.s/r.n/NOA

Më shumë lajme Ekskluzive

KOMENTE