Tiranë, 30 prill, NOA – Qeveria Berisha duhet t’i dorëzojë popullit armët me të cilat mbajti pushtetin, kutitë e votimit ku fshihet edhe krimi elektoral i 28 qershorit.
Një fakt të tillë e ka pohuar kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, para protestuesve të mbledhur në protestën e madhe të opozitës në bulevardin “Skënderbej”, sipas të cilit, nëse nuk hapen kutitë e votimit, atëherë populli do të jetë i detyruar ta rrëzojë këtë qeveri që ai e quajti ilegjitime.
Duke i qëndruar vazhdimisht në fjalën e tij, kërkesës për hapjen e kutive, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë këtyre muajve, kryesocialisti iu drejtua qeverisë me fjalët “Hap kutitë për të nxjerrë armët e korrupsionit”.“Altoparlantët e qeverisë shurdhojnë përditë me fjalët e tyre për gjoja suksesin drejt Bashkimit Evropian, ndërsa ëndrrra “Ta bëjnë Shqipërinë si gjithë Evropa”, nuk duket gjëkundi”, tha ai më pas.
Duke shtuar se nuk ka sesi Shqipëria të afrohet drejt Evropës kur jeton nën një korrupsion galopant dhe një qeveri që e zhvat popullin e saj përditë, duke i katandisur qytetarët e saj, përditë e më të varfër dhe më të pashpresë.
“Nëse Saliu i parë luajti me kursimet e të gjithë shqiptarëve, ai tani po luan me gjithë Shqipërinë”, tha më tej Rama.
Duke e ngritur zërin për shkeljen e të drejtave dhe rritjen e varfërisë përditë e më shumë në popull, kreu i Partisë Socialiste tha se hapja e kutive i zgjidh që të gjitha këto dilema.
n.e/NOA