Prishtinë, 30 prill, NOA - Misioni Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, lidhur me aksionin e organizuar ditën e mërkurë në ministrinë e Transporteve dhe shtëpinë e ministrit Fatmir Limaj, është mbrojtur duke thënë se nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka ushtruar fuqinë e tij ekzekutive.
Përmes një zëdhënëse të saj, Karin Limdal, ka pohuar se veprimi i policisë së EULEX-it në Prishtinë dhe jashtë saj, ka treguar funksionimin e vërtetë të rendit dhe të ligjit.
Limdal sqaroi më pas se EULEX-i në fakt nuk i ka paralajmëruar më parë autoritetet vendore për veprimet e tij, porse këtë e ka bërë për të ruajtur fshehtësinë e aksionit policor.
Ajo la të kuptohet se hetimet ndaj ministrisë së Transporteve kanë filluar më herët dhe tha se materialet e mbledhura gjatë aksionit do të analizohen me kujdes nga policia dhe zyra e prokurorit publik.
n.e/NOA