Durrës, 30 prill, NOA – Megjithëse bashkëshorti po e mbante fort për të mos e lejuar që të hidhej, një grua 50-vjeçare është hedhur nga ballkoni i katit të 12-të të pallatit të saj duke gjetur menjëherë vdekjen.
Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në qytetin e Durrësit, në afërsi të vendit të quajtur “Nish Cigarja”, ndërsa viktima mban inicialet N.B., ka lindur në Berat dhe është banuese e qytetit bregdetar.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se gruaja 50-vjeçare ka hipur në hekurat mbrojtës të ballkonit, ku është varur dhe me gjithë ndihmën që bashkëshorti i saj ka tentuar t’i japë, ajo ka rrëshqitur duke rënë përtokë e për pasojë ka gjetur vdekjen.
Grupi hetimor i cili ndodhet në vendngjarje është duke marrë në shqyrtim të gjitha rrethanat dhe po merr në pyetje dëshmitarët, për të bërë të mundur zbulimin e ngjarjes, ndërsa materialet proceduriale iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.
n.e/NOA