English

Kur politizojnë deputetët

Për këtë arsye, me dhimbje dhe keqardhje kam mësuar, ashtu si të gjithë ata që gjenden me ne në këtë sallë gjithashtu, se disa anëtarë të parlamentit kanë zgjedhur ta politizojnë këtë projekt - një punë e shkëlqyer që është në interes të publikut të përdoret për përfitime politike. Fatkeqësisht, është e pakuptueshme dhe nuk duhet të lejohet

Nga Xhon L. Uidhërs*

Ambasador i SHBA

Është një nder i madh që gjendem sot këtu në Qendrën Aleanca Gjinore për Zhvillim. Kjo është një shoqatë që ka ekzistuar që prej vitit 1995 dhe përgjatë këtyre 15 viteve, deri më sot, ajo nuk është kursyer në angazhimin për çështjet gjinore, çështjet e barazisë sociale, çështjet e të drejtave të njeriut, çështjet e dhunës në familje – me pak fjalë, për përmirësimin e Shqipërisë.

Dhe ndonëse kam pasur privilegjin që të takoj disa prej jush që kanë kontribuar kohën dhe punën për këtë përpjekje, është një privilegj i veçantë që pata mundësinë të vij sot këtu dhe t'ju takoj të gjithë ju që keni kontribuar për këto objektiva të vlefshme. Dhe jam krenar që Qeveria e Shteteve të Bashkuara ndër vite ka qenë në gjendje të ndihmojë sadopak për përpjekjet tuaja. Përgjatë javëve të fundit kam pasur kënaqësinë e veçantë të shqyrtoj njërin prej kontributeve tuaj më të fundit, "Paketën burimore për përkatësinë gjinore".

Me një fjalë, e kam gjetur mbresëlënëse dhe do të doja të përgëzoja miqtë tanë suedezë, miqtë spanjollë, si dhe të tjerë prej organizatave europiane të cilët kanë kontribuar kaq shumë për këtë paketë. Unë nuk jam i vetmi që mendon se kjo është një punë e shkëlqyer. Ish presidenti i njërit prej universiteteve më të mira, Universitetit të Uashingtonit, shfaq pikëpamje të ngjashme për këtë projekt.

Dhe, më lejoni të them se ai është njëri prej ekspertëve kryesorë në edukimin qytetar dhe studimet sociologjike; opinioni i tij ka shumë vlerë. Kjo paketë do të jetë një kontribut i madh për edukimin e fëmijëve në Shqipëri, që do t'u mësojë atyre mësime të rëndësishme mbi barazinë gjinore, mbi orientimin seksual dhe vendosmërinë tonë për të parandaluar çdo formë diskriminimi ngaj personave me orientim të ndryshëm seksual.

Dhe në luftimin e stereotipeve të rrënjosura mbi rolet e burrave dhe të grave dhe çështjeve të tjera të rëndësishme të tilla si barazia shoqërore, që të gjitha janë pjesë e tablosë së ligjit shqiptar.

Për këtë arsye, me dhimbje dhe keqardhje kam mësuar, ashtu si të gjithë ata që gjenden me ne në këtë sallë gjithashtu, se disa anëtarë të parlamentit kanë zgjedhur ta politizojnë këtë projekt - një punë e shkëlqyer që është në interes të publikut të përdoret për përfitime politike. Fatkeqësisht, është e pakuptueshme dhe nuk duhet të lejohet.

Dhe me këtë dhimbje dhe keqardhje të veçantë ky kriticizëm vjen prej disa syresh që thonë të jenë në pararojë të çështjeve të barazisë shoqërore dhe veçanërisht çështjes së gruas.

Madje disa prej këtyre personave në të shkuarën janë mbështetur prej Qeverisë Amerikane, nën përshtypjen se angazhimi i tyre ndaj këtyre çështjeve ishte i vendosur dhe i plotë.

Më lejoni të jem shumë i qartë: akuza që paketa burimore mbi përkatësinë gjinore nxit homoseksualitetin mes të rinjve është tërësisht e pavërtetë. Ajo që në të vërtetë kjo paketë nxit është edukimi dhe toleranca. Për këtë arsye i bëj thirrje drejtuesve politikë shqiptarë që jo vetëm të mos debatojnë rëndësinë e kësaj pakete, por t'i ofrojnë burime të plota dhe ta mbështesin.

Ky është një hap i rëndësishëm dhe me vlerë përpara për edukimin civil në Shqipëri. Ai do ta ndihmojë Shqipërinë të ecë përpara me të gjithë aspiratat e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. Edukimi dhe zgjerimi i mendjes së të rinjve nuk duhet të bëhet subjekt i lojërave politike.

(*) Fjalim i mbajtur dje në një takim në Qendrën Aleanca Gjinore për Zhvillim

KOMENTE