Tiranë, 30 Prill NOA – Mbërrin ekspozita "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri". Ajo organizohet nga Fondacioni Grek i Kulturës - Vatra e Tiranës, Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Qëllimi i kësaj ekspozite është njohja e studiuesve dhe e publikut të gjerë me një pjesë të pasurive dokumentare që ruhen në AQSh, konkretisht me traditën dhe historinë e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine.
Ekspozita është përgatitur nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berishës. Ajo do të çelet më 3 maj 2010, në orën 18:30, në mjediset e Arkivit Qendror Shtetëror.
Mes 46 kodikëve që mbulojnë një periudhë historike nga shek. VI deri në shek. XVIII, do të ekspozohen edhe dy kodikët e njohur, Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus 2, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESCO-s që prej vitit 2005.
Është e para herë që në hapësirën shqiptare organizohet një ekspozitë e kësaj natyre dhe e përmasave të tilla me qëllim afrimin e publikut të gjerë tek thesaret e kulturës dhe historisë së vendit.
Për të dhënë një pamje më të plotë të këtyre dorëshkrimeve, së bashku me materialet origjinale do të paraqiten edhe 28 panele fotografike, qëllimi i të cilëve është të japin një informacion më të zgjeruar të brendisë së kodikëve.
Në këto panele do të jenë paraqitur 54 kodikë, ku përfshihen edhe ata të ekspozuar në origjinal.
Ekspozita do të shoqërohet me një katalog të eksponateve, me një udhëzues të ekspozitës dhe broshura informative.
Mbikëqyrja shkencore e kësaj veprimtarie është përgjegjësi e Prof.Asoc.Dr. Nevila Nika, Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe e filologut/paleografit z. Agamemnon Celikas, përgjegjës i Arkivit Historik dhe Paleografik të Fondacionit Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë.
Ekspozita "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri" do të jetë hapur nga data 04.05.2010 deri në datën 04.06.2010.
r.n/NOA