English

Opozita nis sot protestën maratonë, do ta gdhijë para Kryeministrisë

Tiranë, 30 prill, NOA – Starton ditën e sotme protesta maratonë e paralajmëruar prej opozitës, e cila është përcaktuar të jetë pa afat dhe me qëndrim të gjatë të protestuesve para godinës së Kryeministrisë.

Bëhet me dijeni se protestuesit opozitarë, do ta kalojnë natën në shesh, ashtu siç bënë më 20 nëntor, për të vazhduar edhe ditën e nesërme, kur do të zhvillohet në fakt një miting i madh festiv nga ana e mazhorancës.

Edhe gjatë kësaj proteste, do të kërkohet sërish hapja e kutive dhe transparenca e zgjedhjeve të 29 qershorit të vitit të kaluar, kërkesë kjo e cila ka qenë kryefjalë e opozitës që pas procesit zgjedhor.

Sipas procedurave të parashikuara, socialistët dhe aleatët do të mblidhet në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ndërsa në orën 18.00 në sheshin "Skënderbej" do grumbullohen të ardhurit nga e gjithë Shqipëria, duke vijuar me marshim përpara Kryeministrisë.

Ndërkaq, thuhet se opozita ka edhe një plan rezervë, i cili do të fillojë të zbatohet në ditët në vijim të protestës me atë që quhet “mosbindja civile”, e cila konkretisht karakterizohet me bllokimin e akseve kryesore të kryeqytetit, duke paralizuar funksionimin normal të shërbimeve.

n.e/NOA

KOMENTE