English

Patriotë, kanibalë apo komunistë, cilët në të vërtetë jemi?

Një lajm shumë i mirë: Tarak Pordhani, ministër i Punëve të Jashtme të Leshistanit do ta vizitojë Republikën e Kosovës. Me atë rast, deputetët e Kuvendit të Kosovës, përkundër lodhjes për shkak të angazhimeve të shumta, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës do ta kenë rastin ta dëgjojnë fjalën e rastit

Nga Behxhet Sh. Shala*

Pushkatim publik apo diskreditim moral:

Ish i përndjekuri politik dhe deputeti i Kuvendit moral të Jakup Krasniqit, shoku Nait Hasani e bëri publik pikërisht në Kuvendin ku iu bë Gjyqi moral Albin Kurtit kallëzimin penal kundër personave që ai i konsideron se janë përgjegjës për krime kundër shqiptarëve në kohën e komunizmit, që nga viti 19945 e deri më tani! Nga aspekti moral Nait Hasani kishte shumë të drejtë mirëpo adresa e përgjegjësisë, koha dhe mënyra ishte e huqur fare! Më shumë i përngjante një fushate të orkestruar dhe të sinkronizuar, së paku ashtu vlerësohej nga shumica se sa një përpjekje që vërtetë e kishte për qëllim të dënohen krimet e komunizmit në periudhën e caktuar! Në listën e Naitit ka të tillë që vërtet janë përgjegjës për krime dhe përgjegjësia e tyre morale, politike, njerëzore dhe penale nuk diskutohet fare. Mirëpo, në këtë listë ka edhe emra që janë e kundërta e atyre që janë përgjegjës për krime andaj është dashur shumë kujdes në lakimin e emrave të caktuar! Edhe këta që janë përgjegjës për krime kanë qenë zbatues të urdhrave të një politike të caktuar, asaj të Beogradit andaj në rast se flitet për përgjegjësi ajo duhet të adresohet në Beograd, si qendër e vendimmarrjes për ish Jugosllavinë! Dënimi i periudhës së komunizmit nuk mund të lidhet vetëm me emra të shqiptarëve por duhet të veprohet si në vendet që e kanë kaluar këtë katarsë, spastrim duke i eliminuar nga postet udhëheqëse dhe vendimmarrëse të gjithë ata që kanë qenë pjesë e krimit. Pastaj, dosjet që mund të përdoren si dëshmi eventuale janë në Beograd, ndoshta në Zagreb dhe Lubjanë apo në pronësi të shërbimeve sekrete të huaja! Ka të ngjarë që Beogradi e ka bërë spastrimin e dosjeve dhe përzgjedhjen e tyre në ato kompromentuese apo shfajësuese duke u mbështetur në interesat politike të Serbisë! Gërryerja e zorrëve në të kaluarën vetëm sa i mbyllë rrugët për të ardhmen dhe është mënyra më e sigurt që çon në një konfrontim me pasoja të paparashikueshme! Diferencimi, në fakt është vetëm një hyrje për t’i arsyetuar krimet e mundshme përmes një hakmarrjeje në një betejë të pamoralshme ku palët ndërluftuese pozicionohen në istikame të patriotëve apo tradhtarëve, varësisht nga interpretimi! Kuvendi i Republikës së Kosovës, në rast se do të përbëhej nga deputetë që i përfaqësojnë apo mbrojnë interesat e qytetarëve do të duhej ta miratonte një Rezolutë me të cilën do të dënoheshin krimet e komunizmit të ish Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, pa përmendur emra konkret. Mirëpo, Kuvendi nuk ishte gatshëm dhe duket se as tash nuk është i gatshëm ta bëjë këtë! E provuan por doli Tina dhe ua mbylli gojën! Gjithmonë do të dali një Tinë apo Endru që do të marrin vendim në emër të Kuvendit, deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës! Ky është realiteti në Kosovë, mbase edhe për një kohë më të gjatë! Andaj, nuk shoh interes t’i nxjerrim sytë njëri-tjetrit ndërsa për ne vendosin të tjerët! Çdo i përvuajtur, që nga viti 1945 ka të drejtë të kërkoi shpagim për vuajtjet e tij, të familjes së tij dhe kjo është krejt e moralshme dhe e ligjshme! Shteti është mekanizmi që duhet ta krijojë një infrastrukturë për shpagimin e të përvuajturve dhe rehabilitimin e tyre, në aspektin material ndërsa ata që janë gjallë e që kanë kontribuar në këto vuajtje e kanë për obligim që të kërkojnë falje publike për dëmet që i kanë shkaktuar popullit të vet dhe me këtë do ta përmbushnin aspektin moral të shpagimit! Mirëpo, situata e tashme dëshmon se as shteti nuk po e kryen detyrimin ndaj qytetarëve të vet e as ata që janë përgjegjës nuk po kanë vullnet dhe guxim që, përmes kërkimfaljes të distancohen nga e kaluara kriminale dhe jemi gjetur në një pat – pozicion! Nuk po dihet kush është tradhëtar, kush është patriot por ngadalë po shndërrohemi në kanibalë duke bërë përpjekje ta hamë njëri- tjetrin! Është fakt se ata që kanë kontribuar më së shumti për këtë liri dhe pavarësi të mbikëqyrur, që nga viti 1945 janë kryesisht kategori sociale, me status të pazgjidhur dhe të cilët luftojnë për të mbijetuar në kushte të padinjitetshme! Ndërsa ata që kanë kontribuar kundër këtij shteti dhe interesave të tij llogariten të jenë pjesë e aristokracisë! Akuza e Nait Hasanit e nxiti reagimin e “palës” tjetër që u vu në mbrojtje, vërtet nuk e di të kujt dhe duke e gozhduar Naitin e lënë pa përkrahje as të sponsorizuesve të cilët u tërhoqën me një elegancë super primitive nga kjo situatë! Dikush shumë lehtë po mundohet t’i mbulojë me heshtje masakrën e Tivarit, masakrën e Drenicës dhe vendeve të tjera menjëherë pas përfundimit të luftës së dytë, aksionin e mbledhjes së armëve, shpërnguljen e dhunshme për Turqi, burgosjet dhe gjykimet politike, vrasjen e ushtarëve shqiptarë në ish APJ-ë, helmimet dhe shumë krime të tjera! Mirëpo, për të gjitha këto përgjegjës ishte Beogradi sepse koka ishte aty! Këta në Kosovë ishte vetëm bishti. Naiti po propozon që shokut Tito (për hir të respektit ndaj disave që ende e dashurojnë) t’i merret titulli honoris causa! Edhe do tjerë që u është ndarë ky çmim nuk janë hiç larg tij! Pastaj, që Sinan Hasanit t’i merret e drejta të jetë anëtar i ASHAK-ës. Edhe në Akademi ka pasur dhe ka gjithçka andaj e kanë problem ta marrin një vendim të tillë! Nëse fillojnë të merren titujt dhe gradat shkencore atëherë shumica e politikanëve aktualë, të pozitës dhe opozitës që i kanë “fituar” këta tituj pas përfundimit të luftës do të mbesnin me shkollë të mesme fillore! Assesi nuk pajtohem që komunistët e kanë ruajtur integritetin territorial të Kosovës shkaku se atë integritet e ka kontrolluar Beogradi! Pse nuk e mbrojtën integritetin, Kushtetutën kur Slloba i mësyu Kosovës? Apo kur ua mori autonominë! Votuan si në Kuvendin e Prizrenit, për qëndrim nën Serbi! Madje edhe disa që sot punojnë me Naitin në institucione! Pastaj, po thuhet se këta po e shesin Kosovën duke e privatizuar! Ata e patën shitur në kohën e komunizmit sllav të tërën, përveç karriges së tyre! Universiteti dhe të drejtat e tjera janë fituar më shumë në saje të sakrificës, burgjeve, demonstratave dhe rrezikut të përshkallëzimit të situatës se sa në saje të angazhimit të “ komunistëve” shqiptarë të asaj kohe! Gjithashtu, pas ngjarjeve në Çekosllavaki frynte një erë tjetër edhe këtu. Sidomos pas Plenumit të Brioneve u krijua një sitruatë e një “liberalizimi” që dallonte nga shtetet e tjera komuniste. Është me rëndësi të thuhet se ishte vlerësimi i krerëve jugosllavë se është më mirë t’u japim shqiptarëve pak më shumë të drejta dhe t’i qetësojmë se që ata t’i radikalizojnë kërkesat e tyre! Nuk e them se të gjithë ata që kanë pasur pozita kanë qenë tradhtarë mirëpo as nuk mund t’i vendos në fronin e patriotizmës! Duke përfunduar me bindjen time se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë komunistë por komunizmin e kanë përdorur si mjet për të ardhur dhe qëndruar në pushtet, duke u shërbyer të tjerëve, mendoj se ky kapitull është i mbyllur dhe se nuk ia vlen të merremi me te! Nëse do të krijohen kushtet, mund të miratohet një Rezolutë mirëpo fuqishëm jam kundër hakmarrjes! Edhe në këtë rast!

Disa shkëputje të pabesueshme por fantastike:

Jakupi i blinduar: Përgjegjësit për siguri i paskan rekomanduar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi ta blindojë shtëpinë ku jeton shkaku se mund t’i rrezikohet siguria e tij. Prej atij çasti që e lexova për këtë këshillë, jam në dilemë dhe hall të madh! As në ëndërr nuk po mund ta gjejë arsyen pse do të rrezikohej Jakupi dhe nga kush?

Gjykimi i Albinit dhe konferencat e së premtës: Dikur ish kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova çdo të premte mbante konferenca me gazetarë të cilat i përngjanin njëra- tjetrës si veja- vesë! Madje, pas një kohe gazetarët i përpilon raportet e tyre pa marrë pjesë fare në konferencë sepse e dinin çka do të fliste dhe si do të përfundonte. Edhe në gjyqin politik që po i bëhet Albin Kurtit nga EULEX-i po dihet epilogu. Në mungesë të avokatit dhe Albinit gjyqi po shtyhet dhe data e gjykimit të radhës po i përshtatet kohës së lirë të krytarit të trupit gjykues, ndërkombëtarë gjithsesi! Sepse mund të mos jetë i disponuar apo ka ndonjë angazhim më serioz si shopping në Selanik psh. Kur bëhet fjalë për gjykatës ndërkombëtar, ish gjykatësi i Albinit gjatë sundimit të UNMIK-ut, Mauricio Salustro, tash më duket se është konvertuar në prokuror të EULEX-it më ka futur frikën në palcë një ditë. Me një kapelë bejzbolli si Tajger Vudsi dhe me dy qenë të mëdhenj ia kishte mësyrë malit të Gërmisë. Nuk e dija nëse ka dalë për relaks apo e ndiqte dikend!

Ives De Kermabon “brengoset” për imazhin e Kosovës: Definitivisht kam hyrë në hak Ives De Kermabon, bosit të EULEX-it! Në kohën kur është përballur me problemet që ia shkaktuan policët rumunë të EULEX-it duke kontrabanduar pakëz duhan dhe raki, ai nuk pati kohë të merret me këtë çështje shkaku se ishte shumë i brengosur për imazin e Kosovës. Me një fjalë, siç thotë populli: “Ra kjo dekë dhe u pamë” ose, u dasht që policët e EULEX-it të kapen me pelë për dore duke u marr me kontrabandë e të bindemi se sa shumë brengoset Ives De Kermabon për imazhin e Kosovës sepse ai i tha fjalët antologjike se :” nuk po brengoset aq shumë për aktivitetet kriminale të policëve të EULEX-it por për imazhin e Kosovës” ! Po të ndahej Çmimi Nobel për non –sens dhe joseriozitet, Ives De Kermabon nuk do të kishte pasur nevojë ta nominojë dikush për këtë çmim. Atij ky çmim do t’i ndahej pa hyrë fare në garë! Edhe neve do të na ndahej ky Çmim sepse e meritojmë ngase durojmë që të lujanë tope çdokush që dëshiron….

Bajram Rexhepi dhe dorëheqja : Pas intervenimit të turpshëm të Policisë së Kosovës te Varret e Qytetit në përpjekje të arrestimit të Albin Kurtit kërkova që rasti të hetohet menjëherë dhe përgjegjësit për dhunim të këtij varrimi të atdhetarit të shquar, Ali Aliu – Presheva të japin përgjegjësi duke mos përjashtuar as dorëheqjen, si akt moral! Akt moral, mos po kërkoj pak si shumë! I pari që u përgjigj pozitivisht kësaj kërkese ishte z. Bajram Rexhepi, ministër për Punë të Brendshme. Në ditarin e mbrëmjes të RTK-së, pas kërkesës për dorëheqje që kishte bërë KMDLNj-ë u kumtua lajmi se Bajram Rexhepi ka dhënë dorëheqje nga….pozita e kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës! E fortë ishte kjo informatë e RTK-së!

Dhe në fund, një lajm shumë i mirë: Tarak Pordhani, ministër i Punëve të Jashtme të Leshistanit do ta vizitojë Republikën e Kosovës. Me atë rast, deputetët e Kuvendit të Kosovës, përkundër lodhjes për shkak të angazhimeve të shumta, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës do ta kenë rastin ta dëgjojnë fjalën e rastit. Ndërkaq, universiteti i Prishtinës do ta nderojë me Çmimin Honoris Causa. Po të njëjtën ditë, z. Tarak do t’i dorëzoi letrat kredenciale për njohje të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran! Lajmin për njohje e pati dërguar para një muaji në adresë të AKR-së e që u bë e ditur në konferencë për media të zëdhënëses së Ministrisë për Punë të Jashtme të AKR-së!

(*) Dërguar nga autori, drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale

KOMENTE