Tiranë, 30 prill, NOA /Milena Selimi - 1 Maji, festa ndërkombëtare e punëtorëve do të festohet në sheshin “Nënë Tereza”, i cili prej më se 20 vitesh është rezervuar për mitingjet e së majtës.
Ftesa për këtë koncert, që do të organizohet në orën 12.00 vjen nga Partia Demokratike, e cila duke parë punimet në sheshin "Skënderbej", por edhe protestën e paralajmëruar 24 orëshe e opozitës që do të mbahet para Kryeministrisë, i ka detyruar organizatorët e koncertit që të zhvendosen te sheshi "Nënë Tereza".
Koncerti do të nisë në orën 12.00, me pjesëmarrjen e artistëve dhe grupeve muzikore Elita 5, Burn, Çiljeta, Anjeza Shahini, Samanta Karavello, Rosela Gjylbegu, Redon Makashi, Edmond Mancaku, Mariza Ikonomi etj.
Në skenë do të marrin pjesë artistët, të cilët shoqëruan prej mëse 1 muaj PD-në në fushatën elektorale të 28 qershorit.
Ende nuk mësohet nëse do të ketë këngëtarë të huaj në këtë koncert, por ministria e Kulturës nuk do të organizojë gjë tjetër përveç këtij koncerti në datën 1 Maj.
Nga ana tjetër, në datën 30 prill, opozita do të nisë protestën e saj.
Organizatorët e kësaj proteste kanë deklaruar se ajo do të jetë 24-orëshe. Protestuesit pritet të mblidhen pasditen e datës 30 prill para Kryeministrisë dhe do të qëndrojnë aty gjithë natën, madje edhe në orët e mëngjesit, kur vetëm disa qindra metra më tutje, simpatizantët e qeverisë do të mblidhen për të dëgjuar koncertin.
Ndërkaq në mediat vizive është shfaqur spoti televiziv, i cili fton qytetarët të marrin pjesë në këtë koncert festiv.
Qeveria ka ftuar qytetarët në emër të procesit të integrimit dhe Shqipërisë evropiane.
"T'i themi po Shqipërisë evropiane", thuhet në spotin e lançuar në media.
m.s/n.e/NOA