Tiranë, 30 prill, NOA - Qeveria nuk ka para për shpërblimin prej 5 000 lekë për të porsalindurit. Prindërit të cilët sjellin në jetë një foshnje, me vendim të Këshillit të Ministrave të dalë në muajin maj 2009, shpërblehen me 5000 lekë nga qeveria.
Por në gjendjet civile ku ata regjistrojnë fëmijën dhe pajisen me certifikatën përkatëse, nuk e marrin këtë shpërblim, pasi nëpër bashki prej dy vitesh nuk ka mbërritur fondi nga ministria e Brendshme.
Kryetarja e njësisë bashkiake me numrin më të madh të banorëve në kryeqytet, Jeta Seitaj thotë se pranë gjendjes civile kanë ardhur vetëm dy herë fonde për shpërblimet e foshnjave të porsalindura dhe kjo vlerë kap shifrën e 400 mijë lekëve. Sipas Seitaj, kjo shumë shpërblen vetëm 80 lindje nga rreth 650 lindje që regjistrohen mesatarisht çdo vit pranë minibashkisë nr.5.
“Unë mund t’ju them se vetëm për vitin 2010, aktualisht janë 204 lindje të reja të cilat nuk kanë marrë shpërblime pasi nuk disponojmë asnjë fond. Ndërkohë që për vitin 2009 kemi në pritje 600 emra të cilat sipas vendimit të qeverisë duhet të shpërblehen me 5 mijë lekë të reja”, thotë Seitaj.
Bonusi i vendosur nga qeveria ka afat 2 mujor brenda të cilit prindërit mund të paraqiten për ta tërhequr që nga momenti i regjistrimit të fëmijës.
Sipas kryetares së minibashkisë nr. 5, mungesa e fondeve ka shkaktuar irritim tek prindërit, të cilët pas regjistrimit, gjithmonë kërkojnë të marrin bonusin sipas vendimit të qeverisë.
“Gjithmonë kemi probleme me prindërit të cilët vijnë me certifikatën e lindjes së foshnjës së tyre e kanë të drejtë të kërkojnë bonusin, por nuk e dinë se ne s’kemi lekë, dhe në momentin kur mbërrijnë fondet atëherë nisim dhe shpërndarjen e tyre”, shprehet Seitaj.
Sipas informacioneve tona, ky problem është i njëjtë në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës dhe të rretheve. Lista e foshnjave të porsalindura po rritet çdo ditë me emra të rinj, ndërsa fondet nga qeveria mbeten vetëm në letër.
b.a/NOA