English

Viti sfidues i ekonomisë shqiptare

Viti 2009 ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare, në të gjitha dimensionet e saj. Në përgjigje të krizës ekonomike e financiare botërore, gjatë këtij viti, u testuan Ekuilibrat makroekonomikë të vendit

Nga Ardian Fullani*

Raporti Vjetor i Bankës së Shqipërisë konkluzionet kryesore të të cilit do të mundohem t’i përmbledh në vijim të fjalës sime, është një analizë e plotë dhe transparente e zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend, si dhe një pasqyrë e punës së Bankës së Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të saj ligjore dhe realizimin e angazhimeve institucionale.

Viti 2009 ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare, në të gjitha dimensionet e saj. Në përgjigje të krizës ekonomike e financiare botërore, gjatë këtij viti, u testuan:

ekuilibrat makroekonomikë të vendit;

qëndrueshmëria e sistemit tonë financiar;

modelet e biznesit dhe qëndrueshmëria financiare e sektorit privat; si dhe,

kapacitetet analizuese dhe reaguese të politikave makroekonomike.

Në një plan më të gjerë, goditja që mori ekonomia jonë gjatë vitit 2009 vuri në provë fleksibilitetin e modelit të zhvillimit ekonomik të vendit dhe aftësinë e tij për t’iu përgjigjur një ambienti botëror rrënjësisht të transformuar.

Kriza botërore dha një ndikim të shpejtë në aktivitetin ekonomik në vend. Ajo u shoqërua me një reduktim të hyrjeve valutore në llogarinë korente dhe kapitale, me një ulje të menjëhershme të kërkesës së jashtme dhe me një ngadalësim të kërkesës së brendshme për mallra e shërbime. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, ritmi i rritjes ekonomike shënoi një ngadalësim progresiv gjatë vitit të shkuar, por duke mbetur gjithsesi në territor pozitiv. Ecuria e bilancit të pagesave të vendit u karekterizua nga një zhbalancim i flukseve hyrëse dhe dalëse valutore.

Ky zhbalancim u reflektua në lëkundjen e raporteve të kërkesës dhe të ofertës për valutë, duke rezultuar në nënçmimin e kursit të këmbimit në përgjigje të ekuilibrave të rinj që mbizotëruan në tregun valutor.

Politika fiskale e forcoi karakterin e saj stimulues gjatë vitit 2009, duke mbështetur aktivitetin ekonomik në vend, por duke rritur njëkohësisht presionin në tregjet financiare.

Tronditja që pësoi sistemi financiar krijoi një mjedis të vështirë për transmetimin e plotë dhe në kohë të politikës monetare. Në këto kushte sfiduese, Banka e Shqipërisë arriti të përmbushë me sukses mandatin e saj ligjor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në ekonomi: inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi brenda objektivit tonë prej 3 + 1 për qind gjatë vitit 2009.

Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë arriti të krijojë kushtet e duhura monetare për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Gjithashtu, furnizimi i ekonomisë me likuiditetin e nevojshëm dhe me kosto në rënie, stabilizoi tregjet financiare dhe krijoi kushtet e duhura për mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2009.

Ecuria e sistemit financiar në vend u ndikua nga lëkundja e besimit në sistemin tonë financiar gjatë gjysmës së parë të vitit dhe nga tërheqja e një pjese të depozitave prej tij. Ky zhvillim i kombinuar me një grup tjetër faktorësh, rezultoi në një mbështetje më të vogël dhe me kosto më të lartë të ekonomisë shqiptare me kredi bankare.

Ndër faktorët e tjerë do veçonim:

rritjen e pasigurisë së agjentëve ekonomikë dhe shtrenjtimin e primeve të likuiditetit;

korrektimin e modelit të biznesit të disa segmenteve të tregut financiar;

rritjen e volatilitetit të kursit të kursit të këmbimit;

dhe reduktimin e kërkesës për kredi në gjysmën e dytë të vitit.

Lëkundja e besimit të publikut, nënvizoi rëndësinë prioritare të stabilitetit financiar në jetën ekonomike të vendit.

Në fushën e saj të përgjegjësisë, Banka e Shqipërisë ndërmori një plan të gjerë dhe të koordinuar masash, të cilat synonin ruajtjen e stabilitetit financiar në nivel sistemik dhe institucioni.

Këto masa, ndër të tjera, konsistuan në:

rishikimin e bazës rregullatore në drejtim të shtimit të kujdesit mbikëqyrës;

forcimin e inspektimeve në vend;

shtimin e analizave të bilanceve në nivel individual bankash dhe sistemi; si dhe,

rritjen e bashkëpunimit me institucione homologe vendase dhe të huaja.

Përpjekjet tona për ruajtjen e stabilitetit financiar u koordinuan edhe me autoritetet e tjera publike, ekzekutive dhe legjislative.

Vlen të përmendet përmirësimi i skemës së sigurimit të depozitave të publikut dhe rritja e shkallës së garantimit të tyre nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Këto masa rezultuan të suksesshme në kufizimin e pasojave negative dhe në rivendosjen e plotë të besimit në sistemin bankar.

Si rrjedhojë e tyre, sistemi bankar shqiptar arriti të ruajë bilance të shëndetshme dhe të jetë në gjendje të ushtrojë funksionin e tij të ndërmjetësuesit financiar dhe atë të furnizuesit të ekonomisë me instrumente pagese. Zhvillimet e tremujorit të parë të vitit 2010 konfirmojnë rikthimin e plotë të besimit të publikut mbi sistemin bankar. Aktualisht, gjendja e depozitave ka kapërcyer vlerën e tyre në fundin e muajit shtator 2008, përpara fillimit të tërheqjes së depozitave.

Në vijim të fjalës sime, dëshiroj të prek dhe të analizoj në mënyrë më të detajuar, çështjet e përmendura më sipër.

1. Politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve

Në përputhje me mandatin e saj ligjor, politika monetare e Bankës së Shqipërisë është hartuar dhe zbatuar në funksion të arritjes dhe të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve.

Gjatë vitit 2009, rreziqet kryesore ndaj stabilitetit të çmimeve kanë ardhur nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik, luhatja e besimit të agjentëve ekonomikë, zhbalancimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare dhe nënçmimi i kursit të këmbimit. Pavarësisht këtyre sfidave, Banka e Shqipërisë arriti të ruajë inflacionin e çmimeve të konsumit brenda objektivit. Le të shohim më në detaje elementet e prekura më sipër.

Rritja ekonomike.

Konteksti ndërkombëtar, i cili shoqëroi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend gjatë vitit të shkuar, nuk ishte aspak i favorshëm.

Viti 2009 u karakterizua nga tkurrja e aktivitetit ekonomik botëror, si rrjedhojë e rënies ekonomike në vendet e zhvilluara dhe e ngadalësimit të ndjeshëm ekonomik në vendet në zhvillim. Rritja e ekonomisë botërore shënoi vlerën e parë negative gjatë 50 viteve të fundit.

Integrimi në rritje i ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht i sistemit të saj financiar, bëri që kriza botërore të reflektohej menjëherë në vendin tonë. Kanalet kryesore të cilat ekspozuan ekonominë shqiptare ishin:

ulja e eksporteve;

rënia e remitancave dhe e hyrjeve të tjera valutore;

rritja e pasigurisë në institucionet financiare;

dhe, në përgjigje të tyre, rishikimi i planeve të biznesit të pothuajse të gjithë agjentëve ekonomikë.

Ky ndikim mori formën e uljes së normave të rritjes dhe të lëkundjes së disa ekuilibrave makroekonomikë gjatë vitit 2009. Prodhimi i Brendshëm Bruto gjatë vitit 2009, sipas vlerësimeve të Institutit të Statistikave, u rrit me 3.1 për qind në terma vjetorë.

Ngadalësimi i rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto ka reflektuar kontraktimin e aktivitetit në sektorët e industrisë dhe të ndërtimit, ndërkohë që vlera e shtuar nga sektori i shërbimeve mbeti kontribuesi kryesor në rritjen ekonomike.

Duke u nisur nga rrethanat e vështira në të cilat u zhvillua aktiviteti ekonomik dhe në krahasim me eksperiencat e vendeve të rajonit, ruajtja në terma pozitivë e ritmit të rritjes ekonomike është një zhvillim inkurajues. Megjithatë, ngadalësimi i saj dhe ekuilibrat e rinj makroekonomikë kërkojnë vëmendjen e duhur nga të gjithë agjentët ekonomikë në projeksionet e tyre për të ardhmen.

Perspektiva e zhvillimit ekonomik të vendit kërkon, gjithashtu, një mbështetje më të madhe në sektorin privat, ndërkohë që ndikimi i sektorit publik në rritjen ekonomike pritet të vijë në rënie. Të dhënat për kërkesën agregate tregojnë se ngadalësimi i konsumit privat dhe rënia e investimeve kanë qenë faktorët përcaktues në ngadalësimin e rritjes së kërkesës në vend.

Eksportet neto kanë vijuar të japin kontribut negativ në kërkesën agregate gjatë vitit 2009, por në një masë më të vogël krahasuar me vitin 2008. Krahas kushteve të lehtësuara monetare, stimuli fiskal mbështeti ekonominë në gjenerimin e normave pozitive të rritjes gjatë vitit 2009.

Konsumi privat është përbërësi kryesor i kërkesës agregate, me një peshë rreth 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ritmet e ngadalësuara të rritjes së pagave, rënia e remitancave dhe tkurrja e kredisë konsumatore, ndikuan në ngadalësimin konsumit gjatë vitit 2009.

Investimet private vlerësohen të jenë ndikuar më shumë sesa përbërësit e tjerë të kërkesës agregate nga kriza financiare dhe ekonomike botërore. Ngadalësimi i kërkesës së brendshme e të jashtme, si dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit kanë diktuar kontraktim të investimeve private gjatë vitit 2009.

1.2 Politika fiskale dhe treguesit fiskalë

Ngadalësimi i ekonomisë vendase ndikoi ecurinë e politikës fiskale dhe të treguesve fiskalë. Politika fiskale pati një natyrë stimuluese, e cila u reflektua në zgjerimin e deficitit buxhetor. Deficiti buxhetor për vitin 2009 vlerësohet të jetë 7.1 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.

Burimet kryesore të financimit të deficitit ishin të ardhurat e privatizimeve dhe kredia sindikale, duke reduktuar nevojën për huamarrje në tregun e brendshëm.

Të ardhurat buxhetore shënuan rritje vjetore prej 2.7 për qind, kryesisht si pasojë e rritjes së ngadaltë të të ardhurave tatimore. Nga ana tjetër, shpenzimet publike u rritën me rreth 8 për qind, të udhëhequra nga ritmi i lartë i shpenzimeve korente. Politika fiskale ekspansioniste i dha impulsin e nevojshëm aktivitetit ekonomik gjatë vitit, por ajo u shoqërua gjithashtu me rritjen e borxhit publik dhe presione në rritje mbi yield-et e letrave me vlerë të qeverisë.

Zgjerimi i deficitit buxhetor ndikoi në rritjen e borxhit publik, i cili në fund të vitit 2009 vlerësohet në rreth 59.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Banka e Shqipërisë inkurajon marrjen e masave për reduktimin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik në horizontin afatmesëm. Ky zvogëlim do të krijojë më shumë hapësira në aksesin e fondeve nga sektori privat dhe do të rritë besimin në stabilitetin makroekonomik të vendit.

Gjithashtu, këto masa do të plotësojnë krijimin e një klime të përshtatshme për tërheqjen e kapitaleve të huaja në formën e kredive private apo të investimeve të huaja direkte.

1.3 Zhvillimet monetare dhe tregjet financiare

Aktiviteti i ndërmjetësimit financiar në ekonomi është kushtëzuar nga tkurrja e burimeve financiare, luhatja e besimit në institucionet financiare dhe rënia e kërkesës për kredi bankare gjatë vitit 2009.

Në fund të muajit mars 2009, depozitat ranë në 55 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, krahasuar me nivelin 63 për qind të shënuar në muajin shtator 2008. Tërheqja e depozitave gjatë tremujorit të parë të vitit solli ngadalësimin e zgjerimit të masës monetare në ekonomi.

Aktiviteti bankar njohu një rikuperim të ngadaltë gjatë tre tremujorëve që vijuan. Oferta monetare u rrit mesatarisht me 6 për qind gjatë këtij viti ose rreth 2 herë më pak se një vit më parë.

Rritja e masës monetare i detyrohet kryesisht rritjes së komponentit në lekë të saj, ndërkohë që kredia dhe depozitat në valutë kanë shënuar tkurrje gjatë vitit 2009. Krijimi i parasë në lekë është bazuar në huamarrjen e brendshme të sektorit fiskal dhe ruajtjen e ritmeve të kreditimit në lekë të sektorit privat.

Përveç rritjes së ndjeshmërisë së bankave ndaj treguesve të likuiditetit të tyre, huamarrja e sektorit privat gjatë vitit 2009 u zhvillua në kushtet e një sjelljeje më konservatore të bankave në kredidhënie.

Kjo sjellje i detyrohet edhe një kujdesi të shtuar të bankave ndaj disa produkteve bankare, si:

kredia në valutë për segmente të ekonomisë të ekspozuar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit dhe

kredia për konsum.

Në gjysmën e dytë të vitit, u vu re edhe rënia e kërkesës për kredi, e kushtëzuar nga standardet e shtrënguara të kredidhënies dhe ngadalësimi i aktivitetit ekonomik.

Megjithë politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, kredia për sektorin privat pati një prirje të njëtrajtshme ngadalësimi përgjatë vitit 2009.

Norma e rritjes vjetore në fund të vitit shënoi 12 për qind, kundrejt nivelit 33 për qind të shënuar një vit më parë. Rritja e kredisë është mbështetur nga kërkesa e bizneseve për të financuar nevojat për likuiditet, ndërkohë që portofoli i kredisë për individë është tkurrur gjatë këtij viti.

1.4 Bilanci i pagesave dhe kursi i këmbimit

Në prani të ngadalësimit të kërkesës së brendshme dhe duke reflektuar situatën e vështirë të ekonomisë globale, deficiti i llogarisë korente u ngushtua me rreth 3 për qind gjatë vitit 2009, duke qëndruar në nivelin 15.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Megjithë korrektimin e lehtë gjatë vitit, deficiti korrent mbetet në nivele krahasimisht të larta dhe përbën një nga dobësitë e ekonomisë shqiptare. Në vazhdimësi, Banka e Shqipërisë gjykon se trajtimi me përparësi i tij do të kërkojë hartimin e politikave mbështetëse për rritjen afatgjatë të shkallës së kursimeve në vend, si dhe marrjen e masave për nxitjen e prodhimit në ato degë apo industri, të cilat rezultojnë konkurruese në tregjet ndërkombëtare.

Ngushtimi i bilancit tregtar u ndikua nga rënia e njëkohshme vjetore e eksporteve dhe importeve tona, respektivisht me 18 për qind dhe 9 për qind.

Situata e vështirë në vendet fqinjë është reflektuar edhe në rënien e remitancave, të cilat u tkurrën me 6.5 për qind në terma vjetorë, ndërkohë që raporti i tyre ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto shënoi nivelin 9 për qind.

Suficiti i llogarisë kapitale dhe financiare u zvogëlua ndjeshëm gjatë vitit 2009, duke rënë me 35.6 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Kjo ecuri u diktua në një masë të madhe nga rritja krahasimisht e ulët e investimeve të huaja direkte dhe nga reduktimi i huamarrjes së huaj private.

Ndryshe nga dy vitet e mëparshme, ku llogaria kapitale dhe financiare mbulonte mbi 100 për qind të deficitit korent, në vitin 2009 ajo ka financuar vetëm 77 për qind të tij. Megjithëse në rënie, hyrjet totale të valutës ishin pothuajse të mjaftueshme për të mbuluar këtë deficit gjatë vitit 2009. Rezerva valutore e vendit mbeti në të njëjtat nivele relative me atë të vitit të shkuar, duke qenë e mjaftueshme për të mbuluar 4.2 muaj importe mallrash dhe shërbimesh.

Tkurrja e hyrjeve valutore ushtroi presion nënçmues ndaj kursit të këmbimit, veçanërisht në gjysmën e parë të vitit 2009. Në tregun e brendshëm valutor, nënçmimi mesatar vjetor i monedhës vendase ndaj euros dhe dollarit ishte përkatësisht 7.6 për qind dhe 13.2 për qind.

1.5 Inflacioni dhe politika monetare

1.5.1 Inflacioni i çmimeve të konsumit

Çmimet e konsumit u rritën mesatarisht me 2.2 për qind gjatë vitit 2009, rritje kjo e cila është brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Si pasojë e reduktimit të presioneve inflacioniste në nivel botëror, inflacioni vjetor shënoi vlera të ulëta – mesatarisht 1.8 për qind – gjatë tremujorit të parë të vitit.

Në dy tremujorët vijues, vlerat e inflacionit u stabilizuan pranë kufirit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë, 2.0 për qind.

Inflacioni vjetor shfaqi prirje rritëse në tremujorin e katërt, duke shënuar 2.9 për qind në terma mesatarë dhe duke konvergjuar drejt objektivit për inflacionin. Norma më e lartë e inflacionit prej 3.5 për qind u regjistrua në muajin dhjetor.

Rritja e inflacionit në pjesën e fundit të vitit u shkaktua kryesisht nga përcjellja më e plotë e nënçmimit të kursit të këmbimit në çmimet e konsumit, në prani të prirjes rritëse të çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore.

Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend dhe presionet e ulëta inflacioniste nga ekonomia botërore, krijuan një ambient me presione relativisht të dobëta inflacioniste. Inflacioni bazë dhe ai i mallrave të patregtueshëm shënuan norma mesatare prej përkatësisht 1.3 dhe 1.6 për qind gjatë vitit, duke dëshmuar presionet e ulëta inflacioniste të ekonomisë së brendshme. Këta faktorë balancuan efektin e nënçmimit të monedhës vendase, i cili ndikoi në rritjen e çmimeve të mallrave të importuara dhe të një pjese të produkteve, të cilat indeksohen ende me kursin e këmbimit.

Inflacioni i mallrave të tregtueshëm – një pjesë e të cilave janë me origjinë importi dhe pjesa tjetër janë direkt nën ndikimin e çmimeve botërore - është rritur ndjeshëm në krahasim me dy vitet e mëparshëm.

Kontributi i tij në vlerën e inflacionit total është luhatur rreth nivelit 73 për qind gjatë vitit 2009.

1.5.2 Politika monetare e Bankës së Shqipërisë

Dobësimi i aktivitetit ekonomik dhe i presioneve të brendshme inflacioniste, parashikimet tona për një inflacionin të kontrolluar në të ardhmen dhe pritjet e ankoruara të agjentëve ekonomikë, krijuan hapësira për ndjekjen e një politike monetare lehtësuese gjatë vitit 2009. Kjo politikë u materializua në dy ulje me nga 0.5 pikë përqindjeje të normës bazë të interesit, në muajt janar dhe tetor 2009, të cilat e sollën normën bazë të interesit në nivelin 5.25 për qind, si dhe në injektimin e vazhdueshëm të likuiditetit, të kërkuar nga tregu dhe nga ekonomia.

Nëpërmjet kësaj politike monetare të kujdesshme, Banka e Shqipërisë synoi krijimin e kushteve monetare të përshtatshme për një zhvillim të ekuilibruar dhe afatgjatë të vendit.

Uljet e normës bazë u përcollën menjëherë tek normat afatshkurtra të interesit në tregun ndërbankar, të cilat për rrjedhojë shënuan rënie dhe një luhatshmëri më të ulët nga viti i kaluar.

Nga ana tjetër, këto lëvizje nuk u përcollën të plota në sasi dhe të shpejta në kohë në normat e interesit të kredive dhe të depozitave bankare. Ashtu si dhe në të gjitha vendet e tjera, rritja e primit të likuiditetit, shtimi i pasigurisë në përgjithësi dhe përkeqësimi i rezultateve financiare të sistemit bankar, ishin faktorë amortizues të masave lehtësuese të autoritetit monetar. Megjithatë, politika jonë monetare dhe operacionet tona në tregun ndërbankar arritën me sukses të shmangnin një kontraktim të dëmshëm të bilanceve të bankave; një eksperiencë e hidhur kjo e shumë vendeve në zhvillim.

Ulja me 1.00 pikë përqindjeje e kostos së rifinancimit gjatë vitit 2009, ka mundësuar lehtësimin e barrës financiare të aktivitetit ndërmjetësues të sistemit.

Banka e Shqipërisë ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme sistemin bankar me likuiditetin e nevojshëm.

Krahas uljes së normës bazë të interesit, Banka e Shqipërisë ka ndihmuar aktivitetin e sistemit bankar nëpërmjet:

ndryshimit të formës së ankandit të rifinancimit, nga ankand me shumë fikse në ankand me shumë të pakufizuar;

zgjatjes deri në tre muaj të afatit të maturimit të likuiditetit të injektuar;

rritjes së gamës së kolateralit të pranuar në operacionet tona të rifinancimit;

rritjes së shkallës së përdorimit të rezervës së detyruar; dhe uljes së normës së interesit të kredisë njëditore.

Ne kemi përdorur pothuajse të gjithë gamën e instrumenteve tonë për zbatimin e politikës monetare. Sasia e likuiditetit të injektuar nga Banka e Shqipërisë arriti pikën më të lartë prej rreth 40 miliardë lekësh në muajt e verës, ndërkohë që e ndikuar nga hyrjet e depozitave në sistemin bankar, kjo sasi u ul gradualisht në rreth 28 miliardë lekë në fund të vitit 2009.

2. Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Zhvillimi i sistemit bankar është kushtëzuar dukshëm nga ngadalësimi i ekonomisë dhe lëkundja e besimit, aspekte këto të cilat i trajtova gjerësisht më sipër.

Si rezultat i tyre, u vu re një rritje e pasigurisë, një ndjeshmëri më e lartë e bankave ndaj likuiditetit, një sjellje më e kujdesshme e tyre në dhënien e kredive, si dhe një rritje e kredive me probleme. Këto janë edhe zhvillimet më të spikatura të sistemit bankar gjatë vitit 2009.

Megjithëse rentabiliteti i tij erdhi në rënie, treguesit e kapitalizimit mbeten në nivele të kënaqshme. Sistemi bankar mbetet i shëndetshëm, kjo në sajë edhe të përmbushjes me efektivitet të funksionit rregullator dhe mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Duke vijuar këtë seksion, dëshiroj të zbërthej më në detaje çështjet e mësipërme.

2.1 Ecuria e sistemit bankar

Gjatë vitit 2009, sistemi bankar shqiptar ka shënuar rritje të totalit të aktiveve, por me një ritëm rreth dy herë më të ulët krahasuar me një vit më parë. Kjo ulje reflekton tërësisht ekspansionin më të ulët të aktivitetit kreditues. Sistemi jonë bankar vijon të financohet kryesisht nga depozitat e publikut dhe të jetë i përqendruar në aktivitetin e kredidhënies për bizneset.

Depozitat dhe kreditë e sistemit u rritën, por me një normë më të ulët se vitet e kaluara. Raporti i kredisë ndaj totalit të depozitave u rrit me gati 3 pikë përqindjeje gjatë vitit, duke shkuar nga 62 për qind në 65 për qind. Nga ana tjetër, rritja e depozitave si pasojë e rikthimit të besimit të publikut ka përmirësuar situatën e likuiditetit të sistemit bankar.

Ndërkohë, kreditë me probleme kanë pësuar rritje gjatë vitit 2009, si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë dhe e nënçmimit të kursit të këmbimit.

Treguesi i cilësisë së portofolit të kredisë, i shprehur si “kredi me probleme ndaj tepricës totale të kredive” u rrit në 10.48 për qind në fund të vitit, nga 6.64 për qind në fundin e vitit 2008. Nëse shihet ecuria e këtij treguesi në baza neto, pra duke zbritur totalin e fondeve për provigjone, shifra e sipërpërmendur në fund të vitit 2009 është vetëm 6.3 për qind.

Banka e Shqipërisë e ka monitoruar nga afër këtë situatë, duke qenë e ndërgjegjshme për efektet prociklike, që mund të shkaktonin këto zhvillime në portofolin e kredisë.

Pavarësisht përkeqësimit të portofolit të kredive, cilësia dhe mjaftueshmëria e kapitalit për të vijuar operacionet bankare, shtrirjen dhe zgjerimin në kredidhënie ka mbetur e paprekur. Megjithëse, rritja e portofolit të huave është poshtë niveleve të viteve të kaluara, përsëri rritja ka qenë e kënaqshme dhe në nivele më të larta se vendet e rajonit.

Banka e Shqipërisë, bazuar në stress testet periodike të kryera në vazhdimësi, ka identifikuar rast pas rasti të gjithë nevojat për rritje kapitali, duke kërkuar shtimin e tij. Reagimi nga ana e bankave ka qenë i menjëhershëm, duke sjellë kapital të ri.

Totali i kapitalit rregullator të sistemit bankar është rritur 37.7 për qind i dominuar nga kapitali bazë, çka tregon për një kapital rregullator cilësisht të mirë dhe të qëndrueshëm.

Shkalla e kapitalizimit të sistemit bankar është dukshëm mbi minimumin rregullator të kërkuar nga rregulloret tona dhe praktikat ndërkombëtare.

Treguesi i efikasitetit tregon pothuaj të njëjtin nivel me fundin e vitit 2008, duke evidentuar një rritje të kujdesshme dhe të qëndrueshme të aktivitetit bankar në tërësi. Nga ana tjetër, kapitali aksioner i sistemit vlerësohet të jetë rritur 18.7 për qind kundrejt vitit 2008. Raporti i aktiveve mbi këtë tregues, ose siç njihet ndryshe “leva financiare”, u zvogëlua gradualisht gjatë vitit 2009.

Rënia e “levës” nga 11.7 në 10.4 përgjatë një viti nënkupton se sistemi është mbështetur më pak në borxh për financimin e aktiveve. Krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, leva e sistemit bankar në Shqipëri vijon të mbetet e ulët, duke treguar për një shkallë të ulët të praktikës huamarrëse të sistemit. Ky tregues është një argument më shumë në gjendjen e shëndoshë të sistemit bankar.

Zgjerimi i rrjetit të degëve dhe agjencive bankare në territorin e Shqipërisë vazhdoi edhe në vitin 2009, por me ritme më të ulëta në krahasim me vitet paraardhëse. Në fund të vitit që kaloi, numri i përgjithshëm i degëve dhe agjencive arriti në 530 nga 517 që ishin në fundvitin 2008.

Kështu, u hapën 17 degë të reja të bankave, ndërkohe që u mbyllën 4 degë ekzistuese.

2.2 Mbikëqyrja e sistemit bankar

Gjatë vitit 2009, u punua dhe u arrit miratimi i strategjisë afatmesme të mbikëqyrjes bankare.

Shtylla kryesore e kësaj strategjie është adoptimi i filozofisë së re: orientimit të mbikëqyrjes drejt rrezikut.

Ndër elementet e tjerë të spikatur të kësaj politike të re mbikëqyrëse do të përmendja:

• ndërveprimin dhe harmonizimin e mëtejshëm midis politikës monetare, stabilitetit financiar dhe mbikëqyrjes;

• përshtatjen e kuadrit tonë mbikëqyrës me atë të aquis communitaire;

• bashkëveprimin e autoriteteve mbikëqyrëse vendase me ato të huaja si dhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare;

• përshtatjen me shtyllën e tretë të Bazel II, atë të nxitjes së procesit të vetërregullimit dhe mbrojtjes së konsumatorit

Banka e Shqipërisë ka realizuar në vazhdimësi një analizë të thelluar dhe mbikëqyrje të zbatueshmërisë dhe respektimit të kuadrit ligjor e rregullativ për subjektet e licencuara.

Rëndësi e veçantë i është kushtuar inspektimeve në vend, të cilat gjatë vitit 2009 kanë qenë më të shpeshta dhe më rigoroze. Përveç respektimit të ciklit mbikëqyrës, bankat janë kontaktuar në mënyrë të vazhdueshme për fenomene që kanë përbërë shqetësim gjatë vitit, duke marrë masat përkatëse për adresimin në kohë të problemeve potenciale.

Në përgjithësi, sistemi bankar ka vepruar me kujdes në kryerjen e proceseve operacionale të aktivitetit të tyre dhe në përputhje me kuadrin rregullativ të Bankës së Shqipërisë.

2.3 Forcimi i kuadrit rregullator e mbikëqyrës

Hartimi i rregullave të forta e të përshtatshme dhe monitorimi rigoroz i tyre përbëjnë një garanci për ruajtjen e stabilitetit financiar.

Banka e Shqipërisë ka qenë aktive në përsosjen e kuadrit rregullativ, duke e konsoliduar më tej atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe me parimet e Komitetit të Bazelit, direktivave të Bashkimit Evropian dhe praktikave më të mira në fushën e rregullimit e mbikëqyrjes së institucioneve financiare, të licencuara nga Banka e Shqipërisë.

Objektiv kryesor ka qenë përshtatja e praktikave më të mira në:

forcimin e kontrollit të brendshëm;

përsosjen e qeverisjes së institucioneve bankare;

forcimin e kapaciteteve të administrimit të rreziqeve dhe

rritjen e nivelit të transparencës së bankave me klientelën dhe publikun.

Për këtë të fundit, është kërkuar rritje e hapjes dhe e komunikimit të sistemit bankar ndaj klientelës në momentin e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve, në prezantimin e fushatave promocionale për produkte të reja dhe informimin e gjendjes reale financiare dhe të profilit të rrezikut të tyre.

3. Aktivitete të tjera të Bankës së Shqipërisë

Pas analizës së dy funksioneve kryesore të Bankës së Shqipërisë, shkurtimisht do të ndalem edhe në disa aspekte të tjera të punës në institucionin tonë.

3.1 Sistemi i pagesave

Gjatë vitit 2009, sistemet e pagesave kanë reflektuar siguri dhe eficiencë. Mesatarisht, në sistemin e pagesave me vlera të mëdha në kohë reale janë procesuar dhe shlyer çdo ditë rreth 225 transaksione, me një qarkullim mesatar ditor prej 19 miliardë lekësh. Për gjithë vitin 2009, vlera totale e likuiditeteve të shlyera në këtë sistem, rezulton 4.3 herë më i madh se vlera e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

3.2 Integrimi Evropian.

Banka e Shqipërisë, ka një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Banka e Shqipërisë ka qenë aktive në rishikimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për vitet 2009 – 2014.

Banka e Shqipërisë ka përgatitur çdo muaj raportet e progresit, ku janë pasqyruar arritjet në drejtim të realizimit të masave ligjore dhe aktiviteteve zbatuese dhe një përshkrim të shkallës së përputhshmërisë të akteve juridike të miratuara nga Banka e Shqipërisë me acquis communautaire.

3.3 Komunikimi dhe transparenca

Komunikimi me publikun ka qenë një nga prioritetet e mëdha të Bankës së Shqipërisë në vitin 2009. Synimi ynë ka qenë përcjellja në kohë dhe në mënyrë sa me eficiente e vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun financiar, në institucionet e tjera vendimmarrëse, në media, në agjentët e tjerë në ekonomi, përfshirë dhe publikun e gjerë.

Ky komunikim është materializuar nëpërmjet një transparence të shtuar:

të analizave tona mbi zhvillimet ekonomiko – financiare në vend,

të balancës së rreziqeve dhe ndërlikimeve potenciale që ato mund të kenë në ekonomi,

mbi gjithë aktivitetin rregullues dhe mbikëqyrës të sistemit bankar.

Banka e Shqipërisë, duke besuar se transparenca e shtuar përkthehet në forcim të integritetit dhe pavarësisë së saj, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë dhe edukimit të publikut.

Banka e Shqipërisë njeh dhe vlerëson rëndësinë e madhe që ka një publik i mirëinformuar dhe i mirëedukuar në transmetimin e politikës monetare në ekonomi, nëpërmjet marrjes në kohë të vendimeve të drejta dhe racionale.

Në këtë kuadër, gjatë vitit 2009, veprimtaria në fushën e edukimit financiar të publikut është thelluar më tej, nëpërmjet shtimit të grupmoshave dhe shtrirjes më të madhe gjeografike.

Shkurtimisht në gjuhën e shifrave gjatë viteve 2008-2009:

janë shpërndarë rreth 21 000 broshura edukative;

janë zhvilluar seminare të trajnimit për rreth 170 mësues të lëndës së ekonomisë në Tiranë, Vlorë, Korçë, Shkodër, Gjirokastër dhe Elbasan;

janë zhvilluar rreth 20 takime me grupe të ndryshme interesi në Tiranë, Vlorë, Korçë, Gjirokastër e Shkodër;

është zhvilluar konkursi “Vlera e Vërtetë e Parasë” në Tiranë, Vlorë, Shkodër, Korçë e Gjirokastër, ku kanë marrë pjesë në total rreth 100 shkolla të mesme;

janë zhvilluar seminar për 60 punonjësit sociale të kryeqytetit;

janë zhvilluar cikle të plota seminaresh trainuese dhe leksione të veçanta për gazetarët;

janë zhvilluar 7 leksione të Guvernatorit për studentët brenda dhe jashtë vendit;

është organizuar Dita e Bankës se Shqipërisë ne 4 universitete.

Së fundi, ridizenjimi i faqes së internetit të Bankës së Shqipërisë në fillim të vitit 2009 ofron tashmë një portal më eficient të dhënies të informacionit, të riorganizuar dhe përshtatur për grup-përdorues të ndryshëm.

3.4 Statistika Monetare dhe Financiare

Banka e Shqipërisë ka një rol të rëndësishëm në sistemin statistikor kombëtar, si institucioni përgjegjës për prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave monetare dhe statistikave të sektorit të jashtëm.

Gjatë vitit 2009, Banka e Shqipërisë ka vijuar të hartojë dhe të shpërndajë statistika monetare dhe statistika të sektorit të jashtëm, duke synuar:

përafrimin e mëtejshëm të metodologjisë me rekomandimet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare,

rritjen e cilësisë së të dhënave nëpërmjet përmirësimit dhe informatizimit të proceseve të kontrollit, si dhe

rritjen e numrit të treguesve të publikuar dhe detajimin e treguesve të përbërë.

3.5 Forcimi i kapaciteteve studimore dhe kërkimore.

Banka e Shqipërisë, në traditën e modeleve më të mira ndërkombëtare, i ka kushtuar vëmendje dhe energji të veçantë rritjes së kapaciteteve kërkimore në fushën e ekonomisë dhe të financës.

Filozofia e punës sonë në këtë drejtim ka qenë përsosja e vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë, duke e mbështetur atë në konkluzione shkencore dhe rezultate empirike. Tashmë studimi i fenomeneve të ndryshme ekonomike mbështetet në modele të plota apo të pjesshme ekonometrike, të cilat mundësojnë nxjerrjen e konkluzioneve dhe parashikimeve të besueshme. Sfida jonë në të ardhmen do të jetë përmirësimi i mëtejshëm i këtyre modeleve dhe përdorimi në rritje i tyre në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë.

4. Pasqyrat Financiare të Bankës së Shqipërisë.

Pasqyrat financiare të viti 2009 u audituan nga Auditori i Pavarur dhe japin një pamje të vërtetë dhe të sinqertë të gjendjes financiare për vitin 2009 të Bankës së Shqipërisë.

Pozicioni financiar i Bankës së Shqipërisë është forcuar më shumë. Totali i aktiveve është rreth 353,6 miliard lekë, ndërsa totali i detyrimeve rreth 321 miliardë lekë. Fitimi i realizuar gjatë viti 2009 është rreth 10 (9,993) miliardë lekë, më i larti i realizuar në 3 vitet e fundit. Ky rezultat ka ndikuar në rritjen e kapitalit të Bankës së Shqipërisë.

Në përputhje me detyrimet e nenit 9 të ligjit nr. 8269 të datës 23.12.1997, fitimi neto është kapitalizuar në masën 25 për qind, rreth 2,5 (2,479) miliardë lekë, duke bërë që vlera e rezervës së përgjithshme të jetë rreth 10 (9.994) miliardë lekë.

Në të njëjtën mënyrë, Banka e Shqipërisë ka respektuar detyrimet e transferimit të fitimit neto në buxhetin e shtetit sipas nenit 10 të ligjit të mësipërm, duke transferuar në buxhetin e shtetit për vitin 2009 rreth 6,74 miliardë lekë.

Në mars të vitit 2010 është transferuar në mënyrë përfundimtare në buxhetin e shtetit teprica e fitimit neto të vitit 2009, në përputhje me nenin 10 të ligjit të mësipërm, në vlerë rreth 2,4 (2,436) miliardë lekë.

Në emër të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dëshiroj të garantoj Kuvendin e Republikës së Shqipërisë se institucioni ynë do të vazhdojë të jetë një organ vendimmarës i përgjegjshëm edhe gjatë vitit 2010.

Vendimmarrja jonë do të vazhdojë:

të jetë transparente si për tregun financiar ashtu dhe për publikun e gjerë;

të faktorizojë të gjithë informacionin e mundshëm brenda dhe jashtë vendit;

të mbështetet në burime njerëzore të kualifikuara dhe

të përmirësojë kuadrin e saj politik dhe operacional, duke vlerësuar praktikat më të mira bashkëkohore dhe ndërkombëtare.

Ashtu si deri tani, fokusi i politikës monetare do të vazhdojë të jetë i orientuar drejt stabilitetit të çmimeve të konsumit, ndërkohë që do të mundohemi të përmbushim me sukses të gjithë objektivat e tjera ligjorë.

Për periudhën në vijim, një tjetër prioritet madhor mbetet stabiliteti financiar i vendit. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë mbetet thellësisht e angazhuar jo vetëm në monitorimin e situatës në vazhdimësi, por edhe ideimin dhe zbatimin e masave të duhura në kohë dhe në intensitetin e duhur.

Së fundi, në cilësinë e Guvernatorit dëshiroj t’ju garantoj se Banka e Shqipërisë me seriozitet do të vazhdojë të raportojë me përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe transparence përpara Kuvendit, duke mos hezituar për asnjë çast t’u përgjigjet detyrimeve kushtetuese dhe ligjore.

Gjithashtu, duke mos harruar asnjë çast detyrimin ligjor për ruajtjen e autonomisë së institucionit që drejtoj, ju siguroj se do të bëj çdo përpjekje etike, ligjore dhe kushtetuese për të siguruar që llogaridhënia jone përpara jush dhe publikut të gjerë, te jetë e paanshme dhe e vërtetë.

Duke shprehur konsideratat më të larta në emrin tim, në emër të Këshillit Mbikëqyrës dhe në emër të punonjësve të Bankës së Shqipërisë, përfitoj nga ky rast për të falenderuar edhe njëherë Kuvendin e Shqipërisë për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë institucionit tonë.

(*) Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në prezantimin e Raportit Vjetor për vitin 2009 në Kuvendin e Shqipërisë

KOMENTE