Tiranë, 1 maj, NOA - Prokurimet publike mbeten fusha kryesore e korrupsionit të administratës shtetërore. Pranohen dokumente që nuk janë në përputhje me ligjin e prokurimit, ka mangësi të theksuara në shqyrtimin e ofertave, ndërkohë tenderat zvarriten dhe anulohen pa argumente.
Këto fakte konfirmojnë se një pjesë e mirë e fituesve në tendera edhe pse nuk plotësojnë kriteret janë të paracaktuar, duke stepur pjesëmarrjen në garë të operatorëve serioze ekonomik. Shkeljet dhe abuzimet janë konstatuar nga Avokati i Prokurimeve gjatë vitit 2009.
Ky institucion ka shqyrtuar 526 ankesa gjithsej, në 294 raste i është dhënë e drejta biznesit. Ndërsa për 194 të tjera avokati ka kërkuar anulim të procedurave.
Në raportin vjetor të Avokatit të Prokurimeve evidentohet si fenomen shqetësues fakti se kriteret për përcaktimin e dokumenteve, nuk përputhen me ligjin, çka do të thotë se kërkohen lista të ekzagjeruara për makineri e pajise që duhet të zotërojë një operator ekonomik.
Raporti vijon me tej duke theksuar se, në shumë raste krijohen procedura të ngatërruara me pasojë bllokimin e procesit dhe krijimin e një situate të paqartë për bizneset. Ndërkohë që nga komisionet nuk jepen shpjegime për skualifikime të ofertave.
Kjo situatë tregon më së miri dështimin e projekteve me prokurimin on-line.
r.l/NOA