English

BDSH: Maqedonia është burgu i shqiptarëve, Gruevski, xhelati i ri i Ballkanit

Shkup, 1 maj, NOA – Kryetari i Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDSH), Bardhyl Mahmuti ka reaguar ashpër pas vendimit të gjykatave maqedonase për dënimet e reja me burg të përjetshëm shqiptarëve.

“Dy ditë pas deklaratës së përbashkët të misioneve të BE-së, të NATO-s, të OSBE-së dhe SHBA-ve në Shkup dhe kërkesës së qartë që “të gjitha palët të dyfishojnë përkushtimin e tyre ndaj harmonisë ndër-etnike dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të shkaktojë tensione” Nikolla Gruevski i hedh benzinë zjarrit”, thuhet në reagimin e BDSH-së.

Sipas BDSH-së, në vend të mbështetjes së kësaj deklarate dhe angazhimeve konkrete për uljen e tensioneve “xhelati i ri i Ballkanit, Nikolla Gruevski, rriti shkallën e provokimeve antishqiptare”.

Reagimi i kreut të BDSH-së ka ardhur pas dënimi të Rexhail Qerimit, Agim Islamit dhe Almir Dërlanit me burgim të përjetshëm, duke e konsideruar këtë vendim si minim i marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni.

“Në vend të amnistisë dhe uljes së tensioneve dhe revoltës së shkaktuar nga kjo logjike e diktatit politik mbi gjyqësinë dhe lirimit të menjëhershëm të të gjithë të dënuarve në këto procese, ai urdhëroi Gjykatën e Shkupit që të dënojë edhe tre shqiptarë me burg të përjetshëm. Kreu i BDSH thotë se qeverisja aktuale me veprimet e pareshtura antishqiptare po dërgon mesazhe luftënxitëse”, thuhet në deklaratën e kreut të BDSH-së, Bardhyl Mahmuti. Sipas tij ka kohë që Maqedonia është shndërruar në burg kolektiv për shqiptarët. “Nikolla Gruevski përpiqet që këtij burgu t’i jep përmasa të përjetshme”, përfundon deklaratën e tij kreu i BDSH.

NOA

KOMENTE