English

BDSH: Maqedonia, si burg kolektiv i shqiptarëve

Shkup, 1 Maj, NOA – Kreu i Bashkimit Demokratik Shqiptar, Bardhyl Mahmuti ka reaguar ashpër me rastin e dënimeve të reja me burg të përjetshëm shqiptarëve.

“Dy ditë pas deklaratës së përbashkët të misioneve të BE-së, të NATO-s, të OSBE-së dhe SHBA-ve në Shkup dhe kërkesës së qartë që “të gjitha palët të dyfishojnë përkushtimin e tyre ndaj harmonisë ndër-etnike dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të shkaktojë tensione” Nikolla Gruevski i hedh benzinë zjarrit”, thuhet në reagimin e BDSH-së.

Sipas BDSH-së, në vend të mbështetjes së kësaj deklarate dhe angazhimeve konkrete për uljen e tensioneve Xhelati i Ri i Ballkanit, Nikolla Gruevski, rriti shkallën e provokimeve antishqiptare.

“Në vend të amnistisë dhe uljes së tensioneve dhe revoltës së shkaktuar nga kjo logjike e diktatit politik mbi gjyqësinë dhe lirimit të menjëhershëm të të gjithë të dënuarve në këto procese, ai urdhëroi Gjykatën e Shkupit që të dënojë edhe tre shqiptarë me burg të përjetshëm.

Dënimi i Rexhail Qerimit, Agim Islamit dhe Almir Dërlanit me burgim të përjetshëm dëshmon për vendosmërinë e institucioneve shtetërore të Maqedonisë që t’i japin flakë marrëdhënieve ndëretnike në këtë shtet”, thuhet më tej në reagimin e BDSH.

Kreu i BDSH thotë se qeverisja aktuale me veprimet e pareshtura antishqiptare po dërgonë mesazhe luftënxitëse.

“Bashkimi Demokratik Shqiptar ngre zërin kundër hipokrizisë që nën arsyetimin e mospërzierjes në punët e gjyqësisë i len duart e lira njërës palë që të aplikojë padrejtësitë më të mëdha që ndonjëherë shqiptarët kanë përjetuar në trojet e veta.Ka kohë që Maqedonia është shndërruar në burg kolektiv për shqiptarët. Nikolla Gruevski përpiqet që këtij burgu t’i japë përmasa të përjetshme”, thuhet në reagim.

NOA-INA

KOMENTE