English

Berisha përshëndet koncertin festiv të 1 majit, fjala e plotë

Tiranë, 1 Maj NOA – Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot koncertin festiv të organizuar nga ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me rastin e 1 Majit. “Nga ky shesh edhe një herë ftoj çdo shqiptar: Le të bashkojmë përpjekjen tonë dhe ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e vendimeve të mëdha për lëvizjen tuaj të lirë në mbarë Evropën”, deklaroi Kryeministri Berisha.

Më poshtë vijon e plotë fjala përshëndetëse e Kryeministrit:

“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë,

Përshëndetjet më vëllazërore!

Gëzuar festën!

Sot ne jemi në këtë shesh për të nderuar njëri-tjetrin, për të nderuar veprën e gjithsecilit, kontributin e çdonjërit prej jush në ndërtimin e Shqipërisë evropiane.

Sot ne jemi këtu më të gëzuar se kurrë në historinë tonë.

Sot ne festojmë si një vend që ecën i sigurt drejt idealit tonë evropian.

Qytetare dhe qytetarë të Tiranës,

Ju shpreh nderimin tim më të madh ju dhe mbarë qytetarëve shqiptarë. Le të ftojmë ne së bashku çdo qytetar të këtij vendi të vazhdojmë udhëtimin tonë drejt Evropës, të zëmë vendin që ne meritojmë. Le të ecim ne të sigurt në të ardhmen evropiane për veten, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, si e ardhmja më e shkëlqyer.

Nga ky shesh edhe një herë ftoj çdo shqiptar: Le të bashkojmë përpjekjen tonë dhe ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e vendimeve të mëdha për lëvizjen tuaj të lirë në mbarë Evropën!

Le të vazhdojmë ne me mundin, djersën, punën, përkushtimin tonë të ndryshojmë çdo ditë e më shumë Shqipërinë!

Le të vazhdojmë ne me mundin, djersën dhe punën tonë të begatojmë çdo ditë e më shumë ketë vend!

Le të vazhdojmë ne me mundin, djersën dhe përkushtimin tonë të afrohemi gjithnjë e më shumë me vendet e zhvilluara dhe të synojmë t’i arrijmë ato!

Shqipëria këtë vit është Shqipëria anëtare e NATO-s. Është Shqipëria e vendimeve historike për çdo qytetar shqiptar, vendimeve për të çelur portat për këtë vend dhe për këtë komb drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, vendimeve për të lëvizur të lirë, pa viza. Të gjitha këto i bënë të mundur djersa, mundi, përkushtimi juaj.

I bëri të mundur vota juaj e lirë. I bëri të mundur fryma juaj qytetare, besimi juaj i pathyeshëm se Shqipëria do të behët një ditë zonjë, ashtu siç e duam të gjithë ne’, - përfundoi fjala e Kryeministrit.

r.n/NOA

Më shumë lajme nga Politika

Foto të tjera, te Galeria

KOMENTE