Tiranë, 1 maj, NOA – Duke falënderuar protestuesit e opozitës të cilët e kanë kaluar natën e sotme të ngujuar në mjediset para Kryeministrisë, kryesocialisti Edi Rama ka dalë sot para tyre me një fjalim publik përmes të cilit ka theksuar vendosmërinë për ta vazhduar aksionin e nisur opozitar.
“Një mendësi komuniste kërkon ta mbajë të ndrydhur këtë vend nën një pushtet të pamerituar, por ne nuk do ta lejojmë”, tha në fjalën e tij, kryesocialisti Edi Rama.
Duke iu referuar në mënyrë indirekte koncertit që po pritet të nisë pas pak minutash në sheshin “Nënë Tereza”, organizuar nga mazhoranca, kreu i PS-së tha se “kjo është fasada më e turpshme e një Shqipërie që sot pas asaj fasade lëngon ekonomikisht, e zhytur në borxhe për shkak të rrënimit ekonomik”.
Sipas Ramës, opozita nuk do të ndalet dhe se ajo do ta shtrijë “barrikadën njerëzore në çdo qytet”.
n.e/NOA