Tiranë, 1 maj, NOA /Altin Kodra - Esteban Valdemar Ponce do të ngjitet të dielën në ring në Tiranë për t’u përballur me Kreshnik Qaton dhe boksieri argjentinas shprehet se mund t’ia prishë festën e katërt “Shqiponjës” kuqezi.
Duke folur pak pas peshimit për ndeshjen e së dielës, thekson se nuk e ka parë në ndonjë ndeshje nga afër Kreshnik Qaton, por ka parë disa nga ndeshjet e tij në Internet dhe ka krijuar një përshtypje të përgjithshme për të.
Ponce thekson se nuk i trembet faktit që ndeshja zhvillohet në Shqipëri. “Kam zhvilluar në karrierën time një numër ndeshjesh në vendet e origjinës së kundërshtarit dhe kjo s’ka ndikuar aspak në paraqitjen time”, - ka theksuar argjentinasi.
A e njihni kundërshtarin tuaj dhe si ndjeheni këtu?
- Nuk mund të them se e njoh edhe aq Kreshnik Qaton, pasi nuk e kam parë në ndonjë ndeshje nga afër, por kam parë disa nga ndeshjet e tij në Internet dhe kam krijuar një përshtypje të përgjithshme për të. Megjithatë, unë mendoj se kjo nuk para ka shumë rëndësi dhe jam i sigurt që do të jetë një duel i fortë dhe i bukur për sportdashësit.
Kreshnik Qato e mbron titullin e kampionit të botës në versionin VBF për herë katërt dhe në fakt është bërë një rutinë për të? Mendoni se ju do të jeni boksieri që do t’i jepni fund kësaj vazhde fitoresh?
- Unë jam përgatitur për të fituar, ashtu sikundër jam i sigurt që edhe ai është përgatitur për të njëjtën gjë. Por unë jam i sigurt në vetvete që mund ta fitoj këtë titull dhe për këtë kam ardhur këtu.
A i trembeni faktit që Qato si të thuash, do të boksojë në shtëpinë e vet? A ju tremb kjo?
- Jo, jo, jo! Aspak. Kam zhvilluar në karrierën time një numër ndeshjesh në vendet e origjinës së kundërshtarit dhe kjo s’ka ndikuar aspak në paraqitjen time. Kështu që edhe në këtë rast, kjo s’përbën problem për mua.
a.k/NOA