Tiranë, 1 maj, NOA /Altin Kodra - Të dielën në mbrëmje, boksieri i mirënjohur shqiptar Kreshnik Qato, do të ngjitet në ringun e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë për të mbrojtur për të katërtën herë titullin e kampionit të botës në versionin “Uorld Boxing Federation”.
Kundërshtari i radhës për boksierin kuqezi do të jetë argjentinasin Esteban Valdemar Ponce dhe Qato ka theksuar pak pas peshimit për ndeshjen e së dielës, të zhvilluar të shtunën pasdite në Hotel “Tirana International” në kryeqytet, se nuk e ka parë në ndonjë ndeshje nga afër kundërshtarin, por ka parë disa DVD të ndeshjeve të tij dhe ka krijuar një përshtypje të përgjithshme për të.
Qato ka shprehur kënaqësinë e tij që rikthehet të boksojë në Tiranë përpara publik shqiptar, duke vlerësuar edhe mënyrën sesi është organizuar ky eveniment nga ana e promotorit Ylli Ndroqi.
“Duhet të theksoj se çdo ndeshje që kam zhvilluar me të në Tiranë ka qenë më e shkëlqyer se ajo paraardhëse dhe kjo e këtij viti ka qenë një eveniment i një niveli botëror dhe që mund ta kenë zili jo vetëm për sportin e boksit, por edhe për sporte të tjera”, - ka thënë boksieri shqiptar.
Kreshnik, kjo është ndeshja juaj e katërt për të mbrojtur titullin e kampionit të botës në versionin UBF. Është bërë diçka e zakonshme për ty apo është gjithmonë një sfidë e re?
- Po ta shohësh në aspektin e profesionit, natyrisht që do të thosha që është diçka e zakonshme. Por, për mua, çdo ndeshje ka veçorinë e vet dhe, për më tepër që do të boksoj në vendin tim, përpara tifozëve dhe bashkë-atdhetarëve të mi, është vërtet një kënaqësi e jashtëzakonshme. Së dyti, duhet të theksoj se më jep edhe më tepër kënaqësi mënyra sesi është organizuar ky eveniment nga ana e promotorit Ylli Ndroqi.
Duhet të theksoj se çdo ndeshje që kam zhvilluar me të në Tiranë ka qenë më e shkëlqyer se ajo paraardhëse dhe kjo e këtij viti ka qenë një eveniment i një niveli botëror dhe që mund ta kenë zili jo vetëm për sportin e boksit, por edhe për sporte të tjera. Prandaj përfitoj nga rasti që ta falënderoj edhe një herë.
Përsa i përket asaj që më është bërë rutinë, duhet të theksoj që ky është profesioni im dhe jeta ime dhe vetëm se kam kënaqësi të boksoj përpara sportdashësve të mi.
Sa e njihni kundërshtarin e së dielës dhe si e parashikoni duelin?
- Natyrisht që nuk e kam parë në ndonjë ndeshje nga afër, dhe nuk mund të them se e njoh edhe aq mirë Poncen. Por kam parë disa DVD të ndeshjeve të tij dhe kam krijuar një përshtypje të përgjithshme për të.
Megjithatë, kjo nuk mjafton asnjëherë dhe nuk mund të mbështetesh vetëm te DVD-të për ta mposhtur kundërshtarin. Do të jetë ringu ai që do të vendosë por unë mund të them që kam ardhur në Tiranë për të fituar dhe jo për të humbur.
A mund të jetë kjo një nga ndeshjet e fundit në karrierën tuaj?
- As që bëhet fjalë. Madje unë mund të them se sapo kam filluar (buzëqesh). Unë e shoh veten time duke boksuar edhe për 5-6 vjet të tjera.
a.k/NOA