Durrës, 1 maj, NOA – Tre persona janë arrestuar mëngjesin e sotëm në Durrës në vendin e quajtur “Rrota e kuqe” në lagjen nr. 13. Arrestimi i tyre është bërë pasi në makinën me të cilën udhëtonin u është gjetur një sasi prej 29,053 kg Cannabis Sativa.
Lajmi konfirmohet nga Policia e Durrësit e cila jep dhe identitetin e saktë të autorëve. Bëhet fjalë për, Dorjan Kanani, 22 vjeç, lindur e banues në Përmet, Lirak Bejko, 45 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë në vitin 1985 me 10 vjet burg për veprën penale të tentativës së arratisjes dhe Arjan Peçi, 43 vjeç, lindur e banues në fshatin Varash të Përmetit, i dënuar më parë për veprën penale të tentativës së vrasjes.
Operacioni i koduar “Mëngjes i freskët” ka përfunduar mëngjesin e sotëm në orën 07.20 minuta në qytetin bregdetar.
“Në bazë të punës hetimore të kryer nga efektiva të Seksionit Kunder Narkotikeve, u ushtrua një kontroll në automjetin tip Mercedez Benz me targa PR 0888 B, i drejtuar dhe në pronësi te shtetasit Arjan Peçi, në të cilin po udhëtonin edhe shtetasit Dorjan Kanani e Lirak Bejko”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kontrolli i policisë evidentoi një çantë me një sasi prej 29 kilogramë Cannabis Sativa, e cila ishte ndarë në 28 pako.
Policia sekuestroi edhe autoveturën me te cilën udhëtonin tre personat. Gjithashtu po hetohet dhe për implikimin e të tre personave në këtë çështje si dhe për tregun ku ishte destinuar droga.
m.xh/NOA