English

PS protestë ndërsa PD në festë, sot dy palët përplasen në bulevard

Tiranë, 1 Maj, NOA – Njëra në protestë, madje edhe në grevë urie, ndërsa tjetra në një festë të madhe: kjo është panorama politike që ofron dita e sotme në bulevardin kryesor të vendit, aty ku do të përplasen mbështetësit e dy kampeve politike.

Nga njëra anë, Partia Socialiste me aleatët e saj që është ngujuar prej pasdites së djeshme para godinës së Kryeministrisë, edhe me 22 deputetë të futur në grevë urie, ndërsa nga ana tjetër, Partia Demokratike me mbështetësit e që do organizojnë sot një koncert madhështor në sheshin “Nënë Tereza”.

E megjithëse të dyja palët kanë deklaruar se do të jenë të kujdesshme sot për të respektuar aktivitetin e secilës, nuk përjashtohet ndonjë incident i mundshëm mes mbështetësve të secilës prej tyre.

Mazhoranca ka lajmëruar se mitingu i saj festiv do të mbahet në orën 12.00, ku do të përshëndesë edhe kryeministri Sali Berisha me anë të një fjalimi.

Ndërsa protestuesit e Partisë Socialiste e kanë cilësuar mbajtjen e këtij aktiviteti nga ana e opozitës, si një akt provokativ, e cila krijon një përplasje të natyrshme me atë që ata kishin parashikuar të zhvillonin që nga dita e djeshme deri në një afat të papërcaktuar.

n.e/NOA

KOMENTE