English

Rama i përgjigjet Berishës: Do të jetë një grevë e pangjashme me të tjerat

Tiranë, 1 maj, NOA – Pas fjalimit të Kryeministrit Sali Berisha ka ardhur dhe përgjigja e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. I ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku ndahen mitingjet, Rama ka folur për gazetarët duke e cilësuar daljen e kryeministrit Berisha, si një “psikamë arrogance që tregon gjithçka që po ndodh tashmë”.

Ai ka theksuar se pritet reagimi i ndërkombëtarëve, por PS-ja është e vendosur që ti shkojë deri në fund çështjes së transparencës.

“Këto janë orët e para dhe nuk ka asgjë për tu shënuar. Por ajo që unë dua të nënvizoj ishte kontrasti, realisht i paharrueshëm, mes një situate të jashtëzakonshme si kjo në kërkesë të një elementi fare fillestar të demokracisë, si ai i hapjes së kutive, me zërin në sfond apo më saktë me atë piskamën e të parit të qeverisë, që mban kutitë peng dhe që ka vënë në skenë gjithë këtë karshillëk primitiv”, u shpreh Rama.

Rama e ka vlerësuar daljen e kryeministrit Berisha në koncertin festiv si burimi i kulturës komuniste, por edhe shprehje e arrogancës që karakterizon gjithë këtë pushtet. “Unë jam shumë krenar dhe jo vetëm mirënjohës, por dhe admirues për gjithë këta njerëz, deputetë dhe qytetarë të cilët kanë ndërmarrë këtë veprim”, u shpreh Rama.

Ai ka theksuar se greva e deputetëve të PS-së nuk ka asgjë të ngjashme me grevat e mëparshme, dhe do të realizohet deri në fund për të mos lejuar vazhdimin e asaj që Rama e quajti, “mbretëri e pashpallur”.

m.xh/NOA

KOMENTE